
Laura Fazliu ka arritur të mërkurën njërin prej sukseseve më të mëdha në karrierë. Nënkampionia evropiane ka fituar medaljen e argjendtë në Mastersin e xhudos që po mbahet në Jerusalem.
Xhudistja 22-vjeçare nuk ishte bartëse në kategorinë deri 63 kilogramë. Por ka shënuar plot katër fitore, të gjitha ndaj top-xhudisteve botërore, për të fituar medaljen e argjendtë.
Mastersi është gara e dytë më e rëndësishme e këtij viti në xhudo. Vetëm Kampionati Botëror vlerësohet më lartë nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos. Me të argjendtën në Masters, Laura ka fituar 1200 pikë në ranglistën botërore dhe ka bërë hap të madh drejt kualifikimit në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Për të është medalja e parë në garat Masters, që mbahen një herë në vit.
Laura në finale u mposht nga Miku Takaichi e Japonisë. Takaichi ka dy medalje të argjendta e dy të bronzta botërore. Ka tani katër të arta në Masters. Laura zhvilloi luftë të fortë, por përvoja e japonezes erdhi në shprehje në aksionin vendimtar.
Laura e nisi ditën me fitore ndaj bartëses së 11-të, Manon Deketer. Më pas e mposhti bartësen e gjashtë, Andrea Leshki. Në radhë ishte bartësja e dhjetë Angelika Szymanska dhe bartësja e shtatë, Gili Sharir. Të gjitha këto janë top-xhudiste me medalje nga garat më të mëdha.
Laura ka shkëlqyer në të gjitha luftërat deri në finale dhe ka realizuar aksione të bukura. Ajo ka mbyllur vitin në mënyrë të mirë, me vend në podium. Ky është viti më i suksesshëm në karrierën e Laura Fazliut.