
Kryetari i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja, ka marrë përgjegjësinë e analizës së botuar ditë më parë, pasi Seksioni i Shkencave Sociale brenda këtij institucioni sot është distancuar nga ai, raporton Gazeta10.
Ai ka thënë se nuk është në pozicion që mund të imponojë ndonjë gjë, por vetëm ka kërkuar një shtim të aktiviteteve si dhe të vendoset një ligjshmëri në mbarëvajtjen e punës.
Më tej, ai ka thënë se teksti i botuar është diskutuar në një nga mbledhjet e ASHAK-ut para se ai të botohej.
Ai më tej, ka përcjellur edhe emrat e akademikëve që e kanë përkrahur analizën në fjalë.
Këtu keni postimin e plotë:
“REAGIM NDAJ DEKLARATËS SË SEKSIONIT TË SHKENCAVE SHOQËRORE TË ASHAK-ut
Lidhur me deklaratën e Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK rreth tekstit të analizës “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor” e shoh të nevojshme të sqaroj si në vijim:
E para, si kryetar i ASHAK nuk jam në pozitë të imponoj, e as nuk kam imponuar asnjë sjellje arbitrare, përveç se kam kërkuar të shtohet aktiviteti i seksionit dhe të vendoset ligjshmëri për mbarëvajtjen e punëve në Akademi.
E dyta, lidhur me reagimin rreth analizës “Synimet destabilizuese në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, duhet të saktësoj se me datë 17 janar 2022, në mbledhjen e Kryesisë së Akademisë është diskutuar teksti i analizës dhe, mbështetur në procesverbalin e mbledhjes (nuk mund ta bëj publik pa vendim Kryesie, prandaj duhet ta parafrazoj) është diskutuar teksti i analizës dhe sipas radhës, janë shprehur këto qëndrime:
1. Justina Shiroka-Pula, nënkryetare, e përkrah si iniciativë dhe thotë se ia ka përcjellë kryetarit disa sugjerime;
2. Luan Mulliqi, sekretar shkencor, e mbështet analizën dhe kërkon që ajo të publikohet menjëherë;
3. Sabri Hamiti, sekretar i seksionit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, analizën e quan politike dhe shprehet i rezervuar për shpërndarjen e saj;
4. Gjylieta Mushkolaj, sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore, e përkrah iniciativën dhe analizën, duke sugjeruar që ajo të plotësohet me referenca;
5. Fetah Podvorica, sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës, e përkrah iniciativën dhe analizën, duke sugjeruar që ajo të plotësohet me referenca;
6. Rauf Dhomi, sekretar i Seksionit të Arteve, e mbështet analizën dhe sugjeron që ajo të publikohet menjëherë;
7. Mehmet Kraja, kryetar, e mbështet analizën dhe publikimin e saj.
Ndonëse nuk kishte obligim statutor (për çfarëdo publikimi është kompetente Kryesia), me propozimin e kryetarit, Kryesia vendosi që teksti i analizës t’u vihet në dispozicion të gjithë anëtarëve të Akademisë dhe me mesazhin e bashkëlidhur iu kërkua anëtarëve që për vërejtjet eventuale të shprehen me shkrim në një afat prej 10 ditësh (24 janar 2022).
Nga të gjithë anëtarët e Akademisë (38 anëtarë), janë përgjigjur me shkrim dy anëtarë: akademik Isa Mustafa dhe anëtari korrespodent Arsim Bajrami.
Ndërkaq, gjatë publikimit në ueb-faqen e Akademisë, për ndonjë arsye teknike, mund të jetë shfaqur edhe versioni im i paredaktuar i tekstit, por së fundi në ueb qëndron teksti i përfundimtar, i autorizuar.
Në fund, edhe përkundër koncensusit të gjerë mes anëtarëve të Akademisë dhe mbështetjes nga anëtarët e Kryesisë, duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, me qëllim të ruajtjes së institucionit, sot kam kërkuar nga shërbimet teknike që të vihet emri im në krye të tekstit analizës në ueb-faqen e Akademisë, që domethënë se unë marr përgjegjësinë për çdo shkronjë të këtij teksti.
Mehmet Kraja
Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”, ka shkruar Kraja në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10