Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Listat e gjata të pritjes (VIDEO)

Gazeta10
23 December 2022 - 19:32

Raporti:Viola Korça

Për më shumë se një vit, pacientët po detyrohen që të presin për të kryer koronarografinë në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK. Përkundër që ky ekzaminim rekomandohet që të kryhet menjëherë pasi pacientët pësojnë infarkt në zemër, këta të fundit mbesin në listat e gjata të pritjeve. Nga Klinika e Kardiologjisë nuk janë prononcuar për rastin, derisa nga Shoqata e Pacientëve kanë thënë se kanë marrë disa herë ankesa nga pacientët.

Janë bërë më shumë se një vit që Jashar Ademi 67 vjeçar nga Komuna e Gjilanit, po pret për të bërë koronarografinë.

Në tetor të vitit të kaluar ai kishte pësuar infarkt në zemër, andaj edhe i ishte kërkuar që të realizonte këtë ekzaminim.

Mirëpo, që 14 muaj ai është në listën e pritjes së Klinikës së Kardiologjisë në QKUK, e radha nuk i ka ardhur ende.

Ademi ka thënë se përkundër gjendjes së tij shëndetësore, e ka të pamundur që këtë ekzaminim ta kryej në spitalet private, pasi i njëjti është i kushtueshëm.

Kanal 10 ka provuar të marrë një qëndrim për këtë rast edhe nga Klinika e Kardiologjisë në QKUK , por që të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.

Ndërsa, për rastin janë deklaruar nga Shoqata e Pacientëve të Kosovës, nga e cila kanë treguar se kanë marrë ankesa edhe nga pacientët tjerë.

Nga kjo Shoqatë kanë thënë se personat të cilët pësojnë infrakt nuk rekomandohet të presin gjatë për të kryer koronarografinë.

Me lista të gjata të pritjes për të kryer ekzaminimin i cili siguron një pamje të hollësishme të enëve të cilat furnizojnë zemrën me gjak, pacientët janë ballafaquar edhe gjatë viteve të kaluara. / Kanal10

Nga Rubrika
Lajme
23 June 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.