
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Adnan Rrustemi, duke komentuar deklaratën e fundit të KFOR-it për situatën në veri, ka thënë se zhagitjet po bëhen të padurueshme, raporton Gazeta10.
Ai ka thënë se rrugët janë bllokuara në mënyrë të paligjshme dhe nga grupe të armatosura.
Më tej, ai ka thënë se KFOR-i ka kërkruar pak kohë për heqjen e tyre mirëpo tani në ditën e 14 po kërkohet një zgjidhje me dialog.
Më tej, ai ka thënë se nuk mund të ketë dialog me krimin dhe se barrikadat duhet të hiqen sa më parë.
Këtu keni postimin e plotë:
“Duhet ta themi rendin e gjërave ndonëse ai është shumë i thjeshtë dhe i qartë:
1. Në Republikën e Kosovës janë bllokuar disa prej rrugëve nacionale. Dhe kjo është e paligjshme.
2. Këto barrikada janë vendosura nga struktura kriminale dhe të armatosura që dirigjohen direkt nga Beogradi, madje këtë edhe e kanë pranuar zyrtarisht.
3. KFOR ka kërkuar pak kohë nga institucionet e Republikës së Kosovës për t’i hequr këto barrikada të paligjshme.
4. Jemi në ditën e 14 dhe sot KFOR deklaron që kjo punë të zgjidhet me dialog.
Këto deklarata dhe kjo zhagitje vërtetë po bëhen të papranueshme dhe janë duke kaluar çdo pritje. Rendi dhe ligji duhet të mbizotërojë. Me krimin dhe paligjshmërinë nuk mund të negociohet. Barrikadat duhet të hiqen sa më parë dhe Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet ta bëjë këtë gjë”, ka shkruar Rrrustemi në llogarinë e tij në Facebook.
Kujtojmë se në veriun e Kosovës vazhdojnë të jenë të bllokuara disa rrugë meqë serbër atje kanë vendosur barrikada.
Institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare kanë kërkuar heqjen e tyre si dhe uljen e tensioneve. / Gazeta10.