
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës (SPAK) Ali Gashi ka thënë se kjo sindikatë distancohet nga deklarata e kryetarit të BSPK-së ku ka mbështetur dy ligjet e Qeverisë së Kosovës, raporton Gazeta10.
Ai ka thënë se ky qëndrimi është personal i tij dhe se nuk përfaqëson qëndrim të BSPK-së.
Më tej, ai ka thënë se kryesia nuk është ftuar që të diskutojë për një gjë të tillë.
“Pas raportimit nga mediat për takimin e Kryeministrit Albin Kurti me kryetarin e BSPK-së Atdhe Hykolli dhe mbështetjes së dhënë nga ky i fundit kryeministrit për miratimin e dy ligjeve, atij për zyrtarë publikë dhe ligjit të pagave, SPAK -u është i shokuar dhe distancohet fuqishëm nga ky qëndrim i zotit Hykolli duke e konsideruar dhe konstatuar se ky qëndrim është puro personal i tij dhe assesi qëndrim i BSPK-së e as qëndrim i kryesisë se BSPK-së, pasi që kryesia nuk është ftuar të diskutojë për këtë temë”, ka njoftuar Gashi.
Gashi ka thënë se pret sqarim zyrtar nga ana e Hykollit.
“SPAK -u dhe shërbyesit civilë të Kosovës, presin sqarim zyrtar nga ana juaj z. Hykolli”, ka shtuar ai. / Gazeta10