
Në programin “Mëngjesi me Arben Ahemtin” në një lidhje direkte me gazetaren Saranda Alshiqi është raportuar se janë vendosur edhe dy barrikada të reja në veri.
Njëra nga barrikadat është vendosur në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicë të Veriut saktësisht në afërsi të Shkollës Teknike ndërsa tjetra është vendosur tek “Kershi i Dudes”.
Lagjja e Boshnjakëve është një vendbanim multietnik, ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë dhe rruga ku është vendosur barrikada është një prej rrugëve që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.
Sipas gazetarës qytetarët në këtë pjesë po vijnë me vetura por siç mund të kuptohet nuk kanë njohuri për barrikadën e vendosur në qytet.
Nga pajmet mund të shihen se janë të vendosur më shumë se dy kamionë në këtë barrikadë, raporton Gazeta10.
Gjithashtu në këtë pjesë siç duket janë hedhur edhe mjete shpërthyese para se të vendoset kjo barrikadë.
Ende nuk ka monitorim nga KFOR-i apo edhe EULEX-i, vetëm nga Policia e Kosovës të cilët gjenden disa metra më larg barrikadës ku kanë qëndruar nga fillimi.
Serbët lokalë që 18 ditë kanë ngritur barrikada në veri, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq. Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Pantiq dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Që kur janë ngritur barrikadat, në veri të Kosovës janë shënuar një numër i incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba./Gazeta10