Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Rreziku për punëtorët, shteti dështon të ketë listën e sëmundjeve profesionale

Gazeta10
27 December 2022 - 20:38

Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk e ka përpiluar listën e sëmundjeve profesionale.

Kjo listë do të ndihmonte në kategorizimin dhe vlerësimin e drejtë të aftësisë apo paaftësisë në punë, vlerësimin e drejtë të shkallës së dëmtimit apo lëndimit në punë.

Po ashtu do të ndihmoj edhe në rekomandimin për pensionimin invalidor.

Përderisa njohës të kësaj fushe por edhe që kanë qenë përpilues të kësaj liste, i kanë listuar disa nga këto sëmundje profesionale.

Sipas drejtorit të mjekësisë së punës në Gjakovë, Albert Lila, sëmundje profesionale konsiderohen ato të cilat shkaktohen nga metalet dhe metaloidet, sëmundjet e shkaktuara nga helmimet me gazra, sëmundjet e shkaktuara nga helmimet me tretës, sëmundjet e shkaktuara nga helmimet me pesticide, sëmundjet e shkaktuara nga veprimi i faktorëve fizikë, sëmundjet e shkaktuara nga faktorët biologjik, sëmundjet e organeve respiratore, sëmundjet e lëkurës, sëmundjet malinje.

Madje këto janë identifikuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë që nga viti 2018 por që ende nuk është miratuar lista zyrtarisht.

Këto sëmundje vijnë dhe zhvillohen në sektorë të ndryshëm si në atë të ndërtimtarisë, sektori i prodhimit, industritë e ndryshme të ushqimit, tekstilit etj.

“Në vazhdimësi kemi adresuar nevojën urgjente që Kosova të procedoj me miratimin e listës së sëmundjeve profesionale. Shpresa jonë është që me projektligjin për siguri në punë të kanalizohet edhe kjo çështje. Janë disa sektorë të zhvillimit ekonomik që kanë në veçanti prioritete dhe pritet zhvillimi i sëmundjeve profesionale. Në Kosovë është industria e ndërtimtarisë ku është një sektor ende i paeksplorum si dhe ajo e prodhimit ku ne si qendër e shohim si nevojë që këta dy sektorë të monitorohen kushtet e punës, të mjeteve punës dhe shëndetin e të punësuarve” – ka thënë Lila.

Lila ka shtuar se përkundër kapaciteteve të vogla të inspektoratit të punës, është dashur që të merren më shumë me këtë çështje.“Fillimi i vlerësimit të gjendjes shëndetësore të një të punësuari fillon me marrjen e certifikatës shëndetësore. Situata në të dy sektorët shkon deri në at pikë ku kjo certifikatë merret për 1-2 minuta. E që Inspektorati i Punës është dashur që të merret me këtë punë” – ka shtuar Lila.

Sa jemi te Inspektorati i Punës, sipas të dhënave të këtij institucioni, vetëm 1.55% e bizneseve të regjistruara në vend e kanë përmbushur kriterin për vlerësimin e rrezikut në punë.

Sipas një raporti të publikuar nga Qendra për politika dhe avokim, vitin e kaluar, del se një ndër sektorët me rrezikshmërinë më të lartë dhe ekspozimit ndaj sëmundjeve profesionale në Kosovë është sektori i energjisë.

Në këtë raport thuhet se në Korporatën Energjetike të Kosovës brenda vitit vdesin rreth 20 persona të prekur nga sëmundje të rënda si, kanceri i mushkërive ose lloje të tjera të tumorëve si rezultat i ekspozimit ndaj substancave të rrezikshme për shëndetin.

Ndërsa zyrtarë të KEK-ut, në një përgjigje me shkrim kanë bërë të ditur se që nga viti 2018, një punëtor e ka humbur jetën si pasojë e aksidentit në punë ndërsa nga Covid 19 8 punëtorë kanë vdekur.“Gjatë kësaj periudhe 5 vjeçare ka pasur edhe vdekje të natyrshme” – ka thënë Skender Bucolli nga departamenti për marrëdhënie me publikun.

Përderisa pulmologu, Shpëtim Thaçi ka thënë se përqindjen më të madhe të sëmundjeve të mushkërive e zënë sëmundjet e rrugëve të frymarrjes, të tilla si Bronchiti chronic obstructiv dhe emfizema e mushkërive.

“Sëmundjet infektive me etiologji, qoftë bakteriale, virale apo mykotike si dhe sëmundjet malinje, që viteve të fundit ka tendencë të madhe të rritjes se tyre, sidomos në vendin tonë dhe ekziston një grup i veçantë i sëmundjeve të tjera, në një numër të madh, por shumë të rrallë, që atakon mushkërinë qe njihen si sëmundjet intersiciale te mushkërive. Shkaktaret e sëmundjeve pulmologjike lidhet me konsumin e duhanit dhe ndotësve të ndryshëm ambiental që ndikojnë në rritjen e incidencës se Sëmundjeve obstruktive te mushkerive si dhe karcinomave te mushkerive” – ka thënë Thaçi.

E nga sëmundja e kancerit në vendin tonë nëse e krahasojmë periudhën mes vitit 2017 dhe 2019 del që ka pasur rritje të numrit të të vdekurve nga tumoret.Në vitin 2017 kanë vdekur 1,107 persona, në vitin 2018, 1,031 persona ndërsa në vitin 2019 sipas statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës kanë vdekur 1,501 persona.

Oda e Mjekëve të Kosovës për vite të tëra ka kërkuar që kjo listë të futet në kuadër të Ligjit për Shëndetësi.

Pos që nuk është marrë parasysh nga ministria, kryetari i këtij institucioni, Pleurat Sejdiu thotë se nuk i shkon për shtati shtetit të hynë në funksion kjo listë.

“Ne kemi propozuar që në ligjin e shëndetësisë të futet edhe kjo listë, por nuk ka filluar asgjë, pasi që nuk po u konvenon sepse nëse dikush diagnostikohet me ndonjë sëmundje si pasojë e profesionit, shteti është i obliguar të paguaj për trajtim” – ka thënë Sejdiu.

Sejdiu ka kërkuar që pjesë e kësaj liste të bëhet edhe virusi COVID-19, pasi sipas tij shumica e shteteve anëtare të OBSH-së e kanë bërë një gjë të tillë, për punëtorët shëndetësorë, shkaku i pasojave.

“Prapë nuk është marrë seriozisht kërkesa. Kemi kërkuar gjithashtu nga Inspektorati i Punës që të inspektoj zbatimin e ligjit të punës dhe zbatimit të rregullores së brendshme për mbrojtje në punë por as prej tyre s’kemi pasur përgjigje” – ka thënë Sejdiu.

Një ndër fushat me rrezikshmërinë më të lartë në QKUK, është shërbimi klinik i mjekësisë nukleare.

Yll Kaçiu ka 3 vjet që punon si fizikant në mjekësinë nukleare.Ai kur është punësuar ka qenë i vetëdijshëm deri diku për rrezikun që ekziston në këtë njësi.

Kaçiu thotë se para 3 vjetëve kushtet për radiombrojtje kanë qenë më të vështira, por se tani janë përmirësuar dukshëm.

“Që tre vite ka përmirësim dukshëm të gjendjes në aspektin e mbrojtjes nga rrezatimi. Përderisa e kam ditë pak a shumë për riskun në këtë njësi pasi që kam pasur përvojë edhe më herët në radiologji dhe të radioterapisë. Në fushën e mjekësisë nukleare kam pasur dijeni sidomos për faktorët e riskut fizik mirëpo kur kam ardhë këtu kam pa që kemi edhe disa faktor të tjerë siç janë pajisjet e rënda që i veshim, faktorët e riskut biologjik pasi që shumë lehtë mund të barten viruset edhe nga pacientët si dhe faktorët e riskut fizik’’ – ka thënë Kaçiu.

Megjithëkëtë ai thotë se për të zvogëluar ende riskun në punë duhet të shtohet numri i stafit, në mënyrë që të ndahet puna proporcionalisht.

“Kemi nevojë për staf shtesë, në mënyrë që të delegohen punët, psh një teknik të bëjë administrimin e dozava, një tjetër të bëjë ndarjen e dozave ndërsa tjetri të bëjë skanimin e pacientëve. Nëse puna ndahet, rrjedhimisht zvogëlohet faktori i riskut për tre fish nga rrezatimi” – ka shtuar më teje Kaçiu.

Për mbrojtje nga rrezatimi, janë marr disa hapa konkretë nga menaxhmenti i SHSKUK- së, me kërkesë të udhëheqësve të kësaj njësie.

“Ne si mjekësi nukleare kemi progresuar në aspektin e sigurisë në punë në bashkëpunim me Agjencionin për mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguri bërthamore pasi që pas inspektimeve të tyre, kemi pasur vërejtje në të kaluarën për kushtet e punës por të cilat i kemi përmirësuar dhe do të vazhdojmë” –  ka thënë Fakir Spahiu.

Përderisa gjendja në sektorin privat vazhdon të jetë edhe më e keqe sesa në atë publik.

Shumica e të punësuarve nuk kanë kontrata pune, rrjedhimisht nuk kërkohet as certifikatë shëndetësore.

Nga BSPK-së, Jsuf Azemi thotë se me çështjet shëndetësore në këtë sektor nuk është marr askush, përkundër problemeve që u paraqiten të punësuarve, punëdhënësi nuk merr asnjë përgjegjësi.

“Me këtë temë nuk merret dhe nuk është marr askush, bile tek disa pronarë të kompanive kjo konsiderohet si temë luksi pasi që atyre gjithçka që iu intereson është që punëtori të jetë në kohë të jetë në kohë në punë dhe të jetë aty gjatë gjithë ditës. Për shëndetin e punëtorëve ata nuk interesohen aspak, interesimi i vetëm që ata kanë është që kur punëtori nuk është në gjendje të mirë shëndetësore i thonë me shku në shpi dhe në at moment i ndërpritet pagesa. I gjithë raporti punëdhënës-punëmarrës, përfundon kur këtij të fundit i keqësohet gjendja shëndetësore” – thotë Jusuf Azemi, nga BSPK-ja.

Në kushte anonimiteti, Kanal 10 ka biseduar edhe me një vozitës kamioni që këtë punë e ka bërë për më shumë se 10 vjet, por që është detyruar që të tërhiqet për shkak se kishin filluar problemet me boshtin kurrizor. Ai ka shtuar se kompania që ka qenë i punësuar nuk është interesuar fare për gjendjen e tij shëndetësore, lërë më të paguaj për trajtimin e tij.

Aktualisht, mungon legjislacioni në fushën e shëndetit në punë në lidhje me mbikëqyrjen shëndetësore, ekzaminimet shëndetësore në punë dhe sëmundjet profesionale.

Ndërsa kompensimi për sëmundjet që mund të vijnë nga ambienti dhe kushtet e punës përmenden në Ligjin e Punës, ende nuk është i realizueshëm si pasojë e mungesës të listës, e cila do të shërbente për identifikimin e këtyre sëmundjeve, trajtimin e tyre, kompenzimin për fazën e shërimit dhe kompenzimin ndaj familjes në rastet kur punëmarrësi ndërron jetë si pasojë e sëmundjes profesionale.

Ligji për Siguri dhe Shëndet në Punë përmes nenit 6 obligon punëdhënësin t’i përgjigjet të punësuarit për dëmet e shkaktuara nga lëndimi në punë, sëmundjet profesionale ose sëmundjet e lidhura me punën, sipas parimit të përgjegjësisë objektive të së drejtës së detyrimeve.

Neni 59 i Ligjit të Punës, thotë se, i punësuari ka të drejtë në kompensim të pushimit mjekësor që është si pasojë e lëndimit ose sëmundjes profesionale në punë e cila ndërlidhet me kryerjen e punëve dhe të shërbimeve për punëdhënësin me kompensim prej 70% të pagës së tij.

Me nenin 60 të po këtij ligji, rregullohet kompensimi i lëndimeve në punë, sipas së cilit punëdhënësi është i obliguar që në rast të lëndimeve dhe sëmundjeve profesionale të të punësuarit, të marra gjatë kryerjes së punës, t’ju ofrojë sigurimin për kompensimin e shpenzimeve sipas këtij ligji dhe ligjeve tjera të aplikueshme, si dhe përcakton ministrinë, si organi kompetent për nxjerrjen e një akti nënligjor për të përcaktuar shtrirjen e sigurimit dhe për të klasifikuar lëndimet dhe shkallën e kompensimit.

Në ministrinë e Shëndetësisë përmes një përgjigjeje me shkrim kanë thënë se kanë filluar me hartimin e listës të sëmundjeve profesionale, mirëpo kjo listë duhet të harmonizohet me frymën e ligjit te ri të shëndetësisë, i cili është në procedura të shqyrtimit dhe miratimit.

Ndërsa pas insistimit të vazhdueshëm që të marrim një qëndrim edhe nga Inspektorati i Punës, një gjë e tillë nuk ishte e mundur.

‘Ky botim është prodhuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Europian në kuadër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës të grupeve të cenuara në tregun e punës”. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e ATRC dhe BIRN Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian’/Luljeta Beselica

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.