
Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Armend Mehaj, ka thënë se viti 2022 ka qenë një vit i sukseseve për Forcën e Sigurisë së Kosovës, raporton Gazeta10.
Ai ka thënë se ky vit po përmbyllet me 850 ushtarë dhe kadetë të rinj, me 84% më shumë në pasjisje ushtarake si dhe me mbi 2500 ushtarë të trajnuar jashtë vendit. ]
Tutje, ai ka thënë se e ardhmja e FSK-së është në NATO.
Më tej, ai ka thënë se përkrah ushtrive të aleatëve do të vazhdohet rrugëtimi për konsolidim si dhe ngritje të kapaciteteve procesionale.
“Ju jeni krenaria jonë më e madhe”, ka shkruar ai ndër të tjera.
Këtu keni postimin e plotë:
“Viti 2022, vit suksesesh për Forcën e Republikës sonë!
Po përmbyllim vitin me 850 ushtarë dhe kadetë të rinj, 84% më shumë investime në pajisje ushtarake, dhe me mbi 2500 ushtarë të trajnuar jashtë vendit vetëm gjatë këtij viti.
Ushtria e Republikës së Kosovës më nuk ka kufizim në numër përsa i përket ngritjes së kapaciteteve ushtarake, dhe të gjithë të rinjtë e të rejat ndërmjet moshës 18-25 vjeç mund t’i bashkohen Forcës që është në shërbim të atdheut.
E ardhmja e ushtrisë sonë është në NATO, ngase në përputhje të plotë me misionin e kësaj aleance janë edhe qëllimet tona.
Përkrah ushtrive të shteteve mike do të vazhdojmë rrugëtimin tonë për konsolidim, ngritje të kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së, në funksion të misionit kushtetues për garantimin e sigurisë, territorialitetit, mbrojtjes së qytetarëve dhe ruajtjes së stabilitetit të shtetit.
Urime ushtarakë për çdo rezultat që keni treguar në garat dhe ushtrimet ndërkombëtare, për profesionalizmin mbresëlënës dhe për karakterin luftarak e human të pashoq.
Ju jeni krenaria jonë më e madhe”, ka shkruar Mehaj në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10