
Raporti: Kanal10
Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën për ndarjen e 35.5 milionë euro për siguri të furnizimit me energji elektrike dhe mbrojtje të sistemit energjetik. Prej tyre, 20 milionë euro janë ndarë për KEK-un dhe 17.5 milionë euro për KOSTT-in. Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se këto mjete janë ndarë për pagesën e rrymës në veri.
Qeveria e Kosovës i ka ndarë 20 milionë euro për Korporatën Energjetike të Kosovës dhe 17 milionë e 500 mijë për Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut.
Këtë vendim, ekzekutivi kosovar e ka marr në mbledhjen elektronike të së premtes.
Sipas njoftimit, këto mjete janë ndarë për siguri të furnizimit me energji elektrike dhe mbrojtje të sistemit energjetik.
“Ky vendim shërben në zbatim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me numër 02/117 përmes të cilit, në bazë të interesit publik, KEK-ut, si ndërmarrje publike e energjisë, i është vendosur obligimi për shërbim publik për të ndihmuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe shmangien e devijimeve në sistemin energjetik të Kosovës, për periudhën 1 janar 2023 deri më 15 mars 2023, deri në 185 GËh, në rastet kur nuk plotësohen të gjitha kërkesat e furnizimit me energji elektrike”.
Sipas njoftimi,t KEK-u obligohet të importojë mungesën e sasisë së energjisë elektrike, atëherë kur kapacitetet vendore gjeneruese dhe importi i siguruar nga ndërmarrjet tjera të energjisë është i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjithë kërkesën e Kosovës për energji elektrike.
Ndërkaq, në njoftim thuhet se mjetet e ndara për KOSTT-in, do të shërbejnë për pagesa të borxheve ndaj Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike.
Ndaj këtij vendimi, ka reaguar ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, njëherësh deputet i LDK-së, duke thënë se këto mjete janë ndarë për pagesën e rrymës në veri të vendit.
“Vite me radhë shanin për të njëjtën gjë. Për dijeni, këto mjete janë të projekteve kapitale që nuk janë realizuar. Zgjedhjet në veri i shtynë për prill, vendimin për tabela e shtynë pa afat, të arrestuarin për terrorizëm e liruan. Tani, para se të nisin festën e vitit të ri, ua paguajnë edhe rrymën atyre që vendosën barrikadat. Kjo është qeverisje se jo mahi!
Janë bërë shumë vite, që Qeveria e Kosovës vazhdimisht ndanë mjete për rrymën që shpenzohet nga banorët e komunave veriore të vendit, nga komuniteti serb.
Kurse, këto mjete janë ndarë në kohën kur vendi po përballet me krizë energjetike. / Kanal10