Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Rruga sfiduese e Kosovës drejt BE-së

Gazeta10
03 January 2023 - 19:27

Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10

Megjithëse, nuk u dihet ende epilogu, tri ngjarje të rëndësishme kanë ndodhur për Kosovën, gjatë vitit 2022, sa i përket politikës së jashtme.

Afrimi i liberalizimit të vizave, aplikimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës, mund të vlerësohen si hapa pozitivë, por që për përfundimin e tyre duhen shumë punë, e vite të tjera pritje.

Nisma e parë ndodhi më 12 maj kur Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Përveç kësaj, Kosova ka nisur një tjetër përpjekje për anëtarësim në mekanizma evropianë.

Më 14 dhjetor, tre udhëheqësit e shtetit nënshkruan dokumentin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.  

Një ditë më pas, ditë historike e quajti, shefi i ekzekutivit, Albin Kurti, i cili dorëzoi aplikimin në Çeki, vend ky që në këtë kohë kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian.

Aplikimi ishte vetëm hapi i parë i këtij procesi e që duhen vite të tëra kohë si dhe varet edhe nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. 

Deri më tash Kosova ka vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Ndërkaq, me gjithë pritjet se gjatë vitit 2022 do të merret një vendim për liberalizimin e vizave, një gjë e tillë nuk ndodhi, me gjithë vendimet në disa institucione të Bashkimit Evropian që i kanë dhënë dritën jeshile heqjes së këtij regjimi. 

Qytetarët janë shprehur të shqetësuar që do të vazhdojnë edhe për disa kohë të përballen me pritjet e gjata para ambasadave, si dhe me procedurat e shumta për t’iu mundësuar lëvizja e lirë në vendet e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, një shpresë për kosovarët për udhëtim pa viza, do të jetë fundi i vitit 2023, apo fillimi i vitit 2024, pasi përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së, tashmë kanë caktuar një datë, kur Kosova mund ta gëzojë liberalizimin e vizave.

“Hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të nisë në kohën kur të jetë funksional sistemi i udhëtimit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.”

Për dallim nga progresi në çështjen e liberalizimit të vizave, që tashmë ka një periudhë se kur mund të ndodhë, edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është caktuar një afat se kur palët mund të arrijnë një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve.

Pranvera e vitit 2023, është parë si një periudhë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian presin që të arrihet marrëveshja ndërmjet të dyja vendeve.

Por, pavarësisht kësaj, palët duket se janë ende larg përafrimit, me tensione gjithnjë në rritje, e me deklarata për mos ndryshim të qëndrimeve karshi kërkesave të tyre. 

Me gjithë intensifikimin e takimeve dhe vizitave të shumta të emisarëve e zyrtarëve të lartë të shteteve të fuqishme, viti 2022 nuk prodhoi ndonjë rezultat në këtë drejtim.

Aktualisht, Kosova dhe Serbia e kanë në tavolinë një plan franko-gjerman, sipas së cilit, palët mund t’i japin fund dialogut dhe gjetjes së një marrëveshjeje.

Edhe pse liderët e shtetit të Kosovës, fillimisht nuk e pranuan ekzistencën e një plani të tillë, që nuk ofronte njohjen nga Serbia, më pas atë e kundërshtuan, derisa kah fundi i vitit, një këtë dokument filluan ta vlerësonin se të duhurin për epilog në dialog.

“Ne e kemi parë si hap në drejtimin e duhur meqenëse konceptet që aty përdoren janë vlera. Për dallim nga herët e kaluara, konceptet janë të duhura. Domethënë, tash nuk jemi te ajo. Tash jemi te vlerat. Dhe unë e kam vlerësuar këtë propozim si hap në drejtimin e duhur”.

Por, ky dokument vazhdon të mbahet i fshehur nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, me deklarimet e tyre se janë pajtuar për konfidencialitet të plotë për këtë proces.

Duke u nisur nga kjo, partitë opozitare dhe shoqëria civile vazhdimisht kanë hedhur kritika ndaj Qeverisë së Kosovës për mungesë të transparencës në dialog.

Derisa, ai nuk është bërë ende zyrtar dhe liderët nuk kanë bërë publike përmbajtjen e tij, dokumenti u pa nga disa media.

Të drejta të barabarta Kosovës dhe Serbisë, respektim i integritetit territorial,paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë ishin elementet kyçe të këtij propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, por pa përmendur njohjen reciproke.

Marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013-2015, për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, mbetet tema kundërshtuese, me Serbinë që kërkon zbatimin e saj dhe me ekzekutivin kosovar që kundërshton krijimin e një mekanizmi të tillë.

Por, për formimin e asociacionit vazhdon të ketë kërkesa dhe presion nga bashkësia ndërkombëtare.

Thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të kaluara, në mesin e tyre edhe ajo për asociacionin, vazhdimisht bënin i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Vizitat e tyre, u shpeshtuan, nga Prishtina në Beograd e anasjelltas.

E vizitat, përpjekjet takimet dhe diskutimet vetëm sa pritet të rriten muajt e parë të vitit 2023.

Në këtë vit, Kosova hyn me shumë sfida sa i përket politikës së jashtme, e cila nuk është se prodhoi ndonjë rezultat në vitin 2022.

Përveç politikës së jashtme, vendi stagnoi edhe në shumë fusha të brendshme, për çka qytetarët u përballen me shumë probleme e vështirësi, duke kaluar nga një krizë në tjetrën.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.