Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Marrëveshje pa njohje, opozita “gozhdon’ Kurtin

Gazeta10
05 January 2023 - 20:13

Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10

Mundësia që dialogu me Serbinë të përfundojë pa njohje reciproke ka bërë që opozita në Kosovë të hedhë akuza dhe kritika ndaj Qeverisë Kurti. Tri partitë opozitare kanë fajësuar ekzekutivin kosovar për prishjen e raporteve me ndërkombëtarët dhe ndryshimin e qëndrimit të tyre karshi këtij procesi, shkruan Kanal10.

Partitë opozitare në Kosovë vazhdojnë të hedhin akuza e kritika ndaj Qeverisë Kurti për qasjen në dialogun me Serbinë.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë reaguar pas deklaratave të ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, se njohja e Serbisë nuk është e mundur tash.

Për këtë, opozita ka fajësuar ekzekutivin kosovar se ka dështuar në procesin e dialogut dhe se ka prishur raportet me aleatët ndërkombëtarë.

Arritjen e një marrëveshjeje pa njohje të ndërsjellë, sipas opozitës, është e papranueshme për Kosovën.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se Qeveria e ka katandisur procesin e dialogut, për çka ka kërkuar sqarime nga kryeministri i vendit, Albin Kurti. 

“Duhesh me qenë tej mase amater e i padijshëm që në kontekstin gjeopolitik më të favorshëm për Kosovën në 15 vitet e fundit, në vend të marrëveshjes për njohje, të kemi një status quo të re, pa njohje dhe me asociacion”, Vlora Çitaku – Nënkryetare e PDK-së.

Kritik është shprehur edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se njohja në qendër ka qenë politikë qendrore e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden.

Abdixhiku ka ngritur pyetje se çfarë ka ndodhur që SHBA-ja ka ndryshuar qëndrim dhe se pozicioni ndërkombëtar i Kosovës, sipas tij, duket i rënduar. 

“Në momentin më të mirë në dekada për Kosovën, e në momentin më të rëndë për Serbinë e aleatin e saj Rusinë – Qeveria e Kosovës bëri të pabëshmën, regresoj në fundament me partnerë strategjik duke i dhënë një dhuratë të papritshme kundërshtarit tonë historik. Liderët shtetërorë i detyrohen popullit të Kosovës një shpjegim se si arritën – në dy vite të tyre – deri tek ky përfundim. Sepse politika e tyre e theqafjes nuk përbën asnjë shpjegim patriotik”, Lumir Abdixhiku – Kryetar i LDK-së.

Kurse, sipas deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj, Qeveria Kurti ka shkatërruar aleancat dhe si e tillë po i vuan pasojat.

Që nga marrja e mandatit, edhe kryeministri Kurti disa herë kishte deklaruar se marrëveshje finale me Serbinë duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, derisa më pas në tavolinën e dialogut është prezantuar plani franko-gjerman.

Sipas këtij plani, të dyja vendeve u hapen rrugët integruese, por që nuk përmendet askund njohja reciproke.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.