Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Plagosja në Shtërpcë, kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit (VIDEO)

Gazeta10
07 January 2023 - 19:00

Raporti: Arbresha Berisha

Plagosja e dy të rinjëve të premten në komunën e Shtërpcës dyshohet të ketë ardhur pas një mosmarrëveshje verbale mes viktimave dhe të dyshuarit.

Kështu së paku ka njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj, e cila ka kërkuar nga gjykata që ndaj të dyshuarit të caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se i dyshuari një orë para plagosjes, në pamundësi që të kyçet në rrugën që dërgon në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, ka shtënë pesë herë në ajër.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me datë 06 Janar 2023, rreth orës 14:00, në fshatin Gotovushë, komuna Shtërpcë, me dashje ka tentuar që t’i privoj nga jeta të dëmtuarit M. S dhe S.S., ku, pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty, e nxjerr revolen e markës “Mossberg” dhe shtënë dy herë duke i goditur të dëmtuarit, e që si pasojë e këtyre goditjeve lëndime trupore pësojnë të dëmtuarit, të cilët fillimisht dërgohen në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas në Spitalin e Graçanicës, me të cilën ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentative” nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1, 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 28 të KPRK-së

Ndërsa, në lidhje me plagosjen është deklaruar edhe Policia e Kosovës.

Dy viktimat meshkuj kosovarë janë plagosur nga të shtëna me armë zjarri. Viktimat janë dërguar në tretman mjekësor dhe të njëjtit sipas raportit mjekësor janë jashtë rrezikut për jetë. Në lidhje me rastin është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar. Nga i dyshuari është konfiskuar një revole.

Pas plagosjes, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i krerëve të shtetit, ministrit të Brendshëm, atij të Mbrojtjes, ministres së Jashtme e krerëve të partive opozitare.

Të gjithë dënuan ashpër sulmin ndaj dy viktimave në Shtërpcë, derisa thanë se njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave.

Ndërsa, rasti u dënua edhe nga Bashkimi Evropian e Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier.

Ata kërkuan nga autoritetet që ta hetojnë rastin.

Pas plagosjes së dy të rinjëve, kryetari i Komunës së Shtërpcës ka bërë thirrje për protest të dielen nga orën 12:00. / Kanal10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.