
Raporti: Kanal10
40 personave me aftësi të kufizuara pretendohet t’i jetë përgjysmuar pensioni dhe të kenë mbetur pa kujdestarë gjatë vitit të kaluar. Ndonëse 2022-ta u shpall vit i tyre, personat me aftësi të kufizuara thonë se janë përballur me probleme të ndryshme dhe se të drejtat e tyre vazhdojnë të mos respektohen.
Ndonëse viti i kaluar u shpall si vit i tyre, 40 personave me aftësi të kufizuara iu përgjysmua pensioni, si dhe iu hoq e drejta për të pasur kujdestar.
Kështu së paku kanë thënë nga “Handikos”.
Drejtori i kësaj shoqate, Afrim Maliqi ka deklaruar se gjatë vitit të kaluar personat me aftësi të kufizuara janë përballur me probleme të ndryshme.
Sadete Dubova, e cila për shkak të një sëmundjeje është në karrocë prej katër vitesh, është shprehur e shqetësuar derisa ka thënë se po vazhdojnë të shkelen të drejtat e saj.
Pas tri vitesh betejë, Dubova kishte arritur të fitojë të drejtën për të pasur një kujdestar. Megjithatë, faturën e barnave që është mbi 100 euro për çdo muaj duhet ta mbulojë vetë.
Mirëpo, drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Habit Hajredini shprehet se në vitin 2022 kanë ndodhur disa lëvizje për të mirë për qytetarët me aftësi të kufizuara.
Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Qeveria e Republikës së Kosovës kishte shpallur vitin 2022 – Vit të Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës.
Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti u pat zotuar se personat me aftësi të kufizuara do të gëzojnë të drejtat e tyre. / Kanal10