
Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina, nga sot është bërë pjesëtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Lajmin për aderimin e saj e ka bërë të ditur kreu i kësaj partie Lumir Abdixhiku i cili u shpreh i lumtur për ardhjen e Pantinës në LDK.
“Shqipe Pantina nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo i bashkohet shtëpisë sonë politike si një profesioniste me përvojë të shquar në jetën publike. Jam jashtëzakonisht i lumtur për ardhjen e Shqipes në LDK. Ajo përveç se pasuron radhët tona politike, vazhdon ciklin e bashkëngjitjeve që anëtarë të jetës publike, politike, medias e shoqërisë civile po e bëjnë me LDK-në”, shkruan Abdixhiku në FB-në e tij.
Tutje, Abdixhiku e ka prezantuar Pantinën duke treguar kualifikimet e saj dhe përvojat e punës.
“Shqipja ka shërbyer për dy mandate si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Para angazhimit politik, ajo ishte pjesë e shoqërisë civile, sikurse dhe konsulente në projekte të ndryshme ndërkombëtare me organizata prestigjioze si USAID, BE, OSBE, NDI, IFES e IREX. Shqipja i ka të mbaruara studimet bazike në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Shkencave Politike, ndërsa ka magjistruar në Universitetin e Gracit në Austri, në fushën e studimeve evropiane. Në vitin 2012 ka specializuar në Universitetin e Indianas të ShBA-ve në fushën e sistemeve zgjedhore.”, ka shkuar ai.
Pantina ishte pjesë e Kuvendit të Kosovës për dy mandate. Në periudhën 2014-2017, ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa 2017-2019, pjesë e Partisë Socialdemokrate./Gazeta10