
Basketbolli i Golden Eagle Yllit, Rashun Davis, është shpallur “MVP” i xhiros së 17-të në Prince Caffe Superligën e Kosovës në basketboll.
Davis ishte njëri nga basketbollistët më meritorë që Ylli arriti të fitoj derbin kundër Pejës.
Në atë ballafaqim, Davis arriti të realizoj 24 pikë, tri kërcime e shtatë asistime, për t’I dhuruar Yllit fitoren e 11-të rresht në Superligë.
Po ashtu, Federata e Basketbollit të Kosovës ka publikuar edhe formacionin e xhiros së 17-të në elitën e basketbollit kosovar.
Top 5-shja përbëhet nga Rashun Davis i Yllit, Fisnik Rugova i Bashkimit, Dustin Thomas i Prishtinës dhe dyshja e Trepçës, Mikaile Tmusic dhe Andrew Gordon.
Në xhiron e 17-të të Superligës së Kosovës në basketboll, Ylli triumfoi ndaj Pejës, Bashkimi fitoi derbin e qytetit kundër Ponte Prizrenit, Trepça triumfoi lehtësisht ndaj Rahovecit dhe Prishtina arriti fitore në shtëpi kundër Vëllaznimit.