
Raporti:Arza Kastrati
Rruga për në shkollë është bërë shqetësim i shumë prindërve fëmijët e të cilëve ndjekin mësimet në shkollën fillore “Hajrullah Shala” në fshatin Akrashticë të Vushtrrisë. Ata janë shprehur të shqetësuar se fëmijët e tyre po rrezikohen nga rënia në lum gjatë shkuarjes në shkollë. Ndërsa, nga komuna kanë premtuar se do t’u bëjnë një zgjidhje së shpejti.
Nga kjo rrugë kalojnë pothuajse çdo ditë për të shkuar në shkollë.
Përkundër rrezikut, një pjesë e nxënësve duhet të kalojnë mbi këtë urë të dëmtuar, për të shkuar në shkollën fillore “Hajrullah Shala” në Vushtrri.
E kohë më parë, derisa kalonte mbi të, një nxënëse e kësaj shkolle kishte rënë në lum.
Prindi i saj Albert Gashi ka folur për rrezikun që u kanoset fëmijëve të tij dhe të gjithë nxënësve që kalojnë këtë rrugë.
Ai ka thënë se shpesh herë duhet të dal nga puna mëherët në mënyrë që të shkojë t’i marrë në shkollë fëmijët e tij.
Të shqetësuar janë shprehur edhe banorët tjerë të cilët kanë thënë prapa kamerës se nuk është bërë asnjë zgjidhje deri tani.
Ndërkaq, kryetari i Vushtrrisë Ferit Idrizi ka deklaruar se janë të informuar për shqetësimet e banorëve dhe se së shpejti do ta rregullojnë shtratin e lumit.
Ndërsa, banorët janë ankuar edhe se komuna nuk u ka siguruar nxënësve një mjet të transportit për t’i bartur ata.
Derisa të bëhet një zgjidhje nga komuna, ata kanë thënë se fëmijët e tyre do të vazhdojnë të rrezikohen gjatë shkuarjes në shkollë. / Kanal10