
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në konferencën e përbashkët për media që kishte me kryedilplomaten sllovene, Tanja Fajon u pyet edhe për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për të cilin mediat në Slloveni e Kroaci raportuan se është I përfshirë në një skandal të madh financiar.
Ministrja e Jashtme, tha se vazhdon të kërkojë informacione zyrtare nga disa shtete mbi këto dyshime, ndërsa konfirmoi edhe një herë se shkarkimi i ambasadorit nuk është duke u konsideruar sepse nuk ka arsye faktike.
“Ambasadori nuk shkarkohet për shkak të spekulimeve të fjalëve. Ambasadori shkarkohet në momentin kur ka arsye faktike se pse ambasadori duhet të shkarkohet. Deri në këtë moment nuk kam asnjë informacion të vetëm që shkelje të tilla kanë ndodhur”, tha Gërvalla.
Kryediplomatja tha se sot në mëngjes ka folur me ambasadorin Berishaj, duke treguar se ai ka kërkuar që ta mbajnë një konferencë të përbashkët për media për t’iu përgjigjur pyetjeve.
Gërvalla ka theksuar se Serbia është aleatja më e afërt e Rusisë.
“Kosova në vazhdimësi nuk e ka fshehur aspiratën e saj për tu anëtarësuar në NATO. E dimë që edhe brenda NATO-s dhe BE-së ka biseda intensive për situatën tonë. Nuk mund ta heq faktin që fqinji ynë Serbia është aleati më i afërt i Rusisë – madje ka edhe marrëveshje të lidhura rreth politikës së jashtme të koordinuar. Andaj edhe kërcënimet që i bën, kërkojnë një përgjigje të përbashkët, një përgjigje të unifikuar me qëllim që strategjitë e tilla të mos funksionojnë në vendin tonë”, ka thënë ajo./Gazeta10