
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të kërkojë “zgjedhje të vështira” dhe “guxim politik”.
“Po, kam parë arsye për shpresë në bisedat në Prishtinë dhe në Beograd. Por, kjo do të kërkojë zgjedhje të vështira dhe guxim politik. Dhe, ajo që kam dashur t’ua bëj të qartë liderëve, si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd, ka qenë rëndësia që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë këtij procesi, shpresat që i kemi për këtë proces dhe mundësitë potenciale si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, nëse janë në gjendje të gjejnë një mënyrë për t’i normalizuar marrëdhëniet.”, ka thënë ai.
Tutje, Chollet ka thënë se të dyja qeveritë duhet të jenë në gjendje të tregojnë gatishmëri për kompromis.
“Të dyja qeveritë duhet të jenë në gjendje të tregojnë gatishmëri për kompromis. Ne mendojmë se këto kompromise janë të mundshme. Ne po përpiqemi të gjejmë zgjidhje kreative, për t’i ndihmuar ata që t’i bëjnë ato kompromise”, thotë Chollet.
Ndërkaq për atë se çfarë iu është referuar ai si “zgjedhje të vështira”, Chollet nuk ka dhënë detaje.
“Shikoni, nuk dua të futem në detaje. Do të ishte gjë e pamatur nga unë të flas publikisht për ato zgjedhje. Thënë kështu, të dyja qeveritë duhet të jenë në gjendje të tregojnë gatishmëri për kompromis. Ne mendojmë se këto kompromise janë të mundshme.”, ka thënë zyrtari amerikan.
Duke folur një ditë para vizitës së pesë emisarëve ndërkombëtarë në Kosovë, Chollet thotë se ky është një moment i rëndësishëm dhe shfaq shpresën se do të ketë përparim në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai thotë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të formohet, por thekson se “Asociacioni në formën e Republikës Sërpska është një vijë e kuqe që SHBA-ja s’do do ta lejojë”.
“Shtetet e Bashkuara nuk do ta pranonin këtë dhe kjo nuk do të ishte diçka që do ta çonim përpara”, thotë Chollet.
Duke komentuar vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale serbe, KM, të regjistruara në dhjetor e këndej, Chollet thotë se ky “është pikërisht ai lloj hapi që SHBA-ja nuk ka dashur ta shohë”.