
Këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se fushata e Serbisë për çnjohje të Kosovës është një humbje kohe dhe energjie.
“Përpjekjet për tërheqjen e njohjes së Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare janë humbje kohe dhe energjie”, theksoi ai.
Në një intervistë për “N1”, ai po ashtu ka bërë të ditur se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të jetë sikur Republika Srpska.
“Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është me rëndësi që të formohet Asociacioni i Komunave Serbe, mendojmë se kjo është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por ka një dallim të madh në mes të Republikës Srpska dhe Asociacionit të ardhshëm. Duhet të jem i qartë, nuk është një marrëveshje që do t’i ngjante Republika Srpska,””, tha këshilltari special i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet.
Ai nuk ka dashur të flasë për specifikat lidhur me juridiksionin e mundshëm të Asociacionit, duke thënë se këto detaje duhet të “lustrohen” përmes dialogut.
Ndërsa Chollet ka thënë se SHBA-ja e mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe qëllimi (i saj) është normalizimi në drejtim të njohjes reciproke./Gazeta10