
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se bashkë me katër diplomatë të tjerë ndërkombëtarë sot kanë qëndruar në Kosovë dhe Serbi për të diskutuar hapat drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Lajçak ka thënë se pas takimeve të sotme me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, planifikon që së shpejti t’i vazhdojnë bisedimet.
“Së bashku me këshilltarët e politikës së jashtme të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe atë amerikan – Escobar, kam udhëtuar sot në Kosovë dhe Serbi për të diskutuar hapat drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre, bazuar në propozimin tonë. Kjo gjithashtu nënkupton zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve. Kam në plan të vazhdojmë bisedimet tona së shpejti.”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Ndërsa, pas takimit me Kurtin, Lajçak tha se delegacioni i emisarëve ndërkombëtarë ka pritur më shumë mirëkuptim rreth mundësive që ofron propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Ndërkohë që pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, Lajçak ka thënë kanë pasur një diskutim intensiv e të vështirë por ka falënderuar atë për përgjegjshmërin, ndryshe nga Kurtin të cilin e kritikoj.
Sot në Prishtinë dhe Beograd, për vizitë qëndruan i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i Francës, Emmanuel Bonne, i dërguari i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe këshilltari i Qeverisë italiane, Francesco Talo./Gazeta10