
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në emisionin “Prime Time’’ ka folur rreth shkarkimit të rektorëve të Universitetit të Prishtinës, Pejës, Prizrenit, Gjakovës që në opinionin publik u pa si ‘’kapje e arsimit të lartë”, raporton Gazeta10.
Nagavci, shkarkimin dhe emërimin e rektorit të ri të UP-së e ka quajtur si një punë e cila ka shkuar më së miri dhe si një “shembull konkret se si mund të bëhen institucionet tona”.
“Ky është një shembull shumë i mirë, që përfundimet e nxituara dhe të pa argumentuar lehtë e shpejt tregohen që janë të pabaza. Akuzat që na janë bërë neve për ndërhyrje në Universitetin e Prishtinës, u tregua që ishin tendencioze, të paargumentuar e pabazuara. Unë besoj që situata në UP është në rrugë të mbarë, s’ka pasur reagime tutje, është shkuar gjithçka mirë, zgjedhja e rektorit ka shkuar më së miri. Ky është shembull konkret se si me vullnet e kujdes mund të bëhen edh institucionet tona. Tani e kemi një rektor që ka qenë kandidat, shqetësimi im ka qenë që s’kemi pasur një grua kandidate.”, ka thënë Nagavci.
Nagavci, ka thënë se ankesat e kritikat kanë qenë në drejtim të anëtarëve të emëruar nga Senati dhe jo nga Ministria, duke hedhur poshtë mundësitë që Qeveria ndikoi edhe në zgjedhjen e anëtarëve nga Senati, që në atë kohë raportohej se ishin aktivistë të VV-së.
“Ka pasur kërkesës nga Këshillat Drejtues, edhe me kërkesën tonë nga anëtar që ne i kemi emëruar me kompetencat tona si Ministri, për të emëruar katër anëtar në UP në Këshillin Drejtues, për të cilën jam shumë e kënaqur më punën e tyre. Janë katër anëtarë, që më përgjegjësi të plotë, kompetencë, profesionalizëm e kanë kryer detyrën e tyre në shërbim të pozitës që e kanë marrë. Ata e kanë dhënë kontributin që të bëhet më e mira për universitetin. Ankesat e kritikat kanë ardhur nga anëtarët që janë emëruar nga Senati, pra padrejtësisht jemi akuzuar unë e Qeveria për anëtarët që janë emëruar nga Senati. S’ishin të lidhur me Qeverinë.”, ka përfunduar Nagavci./Gazeta10