
Lidhja Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se ka pranuar ftesë, për takimin e nesërm në Ambasadën e Amerikës në Prishtinë ku do të diskutohet për Asociacionin.
Në një komunikatë për media, LDK-ja ka bërë të ditur se Asociacioni është kompetencë dhe përgjegjësi e qeverisë.
“Në lidhje me Asociacionin, LDK-ja vlerëson se kjo çështje është kompetencë dhe përgjegjësi kushtetuese vetëm e institucioneve të Republikës së Kosovës, në radhë të parë e Qeverisë. Kompetencat dhe përgjegjësitë kushtetuese nuk kanë alternativë, prandaj LDK-ja, në rolin e saj opozitar, s’ka se si t’i ushtrojë ato. Opozita nuk mund t’i marrë përgjegjësitë e shumicës dhe as të Qeverisë së kësaj shumice. Prandaj pjesëmarrja e institucioneve shtetërore në këtë proces është domosdoshmëri e pazëvendësueshme”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, në këtë takim, do të konfirmojë edhe njëherë mbështetjen për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, me përfshirjen e plotë të SHBA-së. Orientimet e LDK-së për një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, dhe me njohjen reciproke në thelb të saj, mbesin të pandryshueshme”, thuhet në njoftim.
“LDK-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos fshihet prapa akuzave populiste ndaj opozitës, por të ushtrojë përgjegjësitë e saja si shumicë dhe të trajtojë këtë çështje në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës si dhe në koordinim të ngushtë me aleatët tanë”, përfundon komunikata për media e LDK-së./