
Raporti: Bleona Dallaveraj/Kanal10
Krahas debatit në Kosovë për Ligjin e ri të pagave, po vazhdon edhe interesimi i të rinjve për të ikur nga Kosova. Kategoria më e interesuar duket të jetë ajo e sektorit shëndetësor. Kanal 10 të dielën ka ndjekur nga afër interesimin e infermierëve të rinj që po marrin informatat e fundit nga kompanitë e huaja për të ikur drejt Gjermanisë.
Dita e diel për dikënd nuk është ditë e zakonshme pushimi.
Të rinjë nga qytete të ndryshme të Kosovës ia kanë mësyrë Prishtinës për të marrë informatat e duhura për tu larguar nga vendi, nga një kompani gjermane.
Njëra nga këto është infiermerja Indire Krasniqi, e cila edhe pse profesionin e infermieres e ushtron që 8 vite, shpejt do të marrë rrugën drejt vendeve perëndimore.
As koeficienti prej 105 eurove, këtyre e shumë infermiereve të tjerë nuk ua mbushi mendjen që të mos ikin nga Kosova.
Probleme me kontrata, orari i stërzgjatur, paga e ulët, mos siguria në punë e probleme si këto e shtynë edhe 23 vjeçarin Afrim Abazi që të ia mësyj Perëndimit, për një jetë më premtuese.
Abazi i cili tash e 4 vite punon si infermier thotë se edhe kolegët e tij të tjerë janë të interesuar që sa më shpejtë ta lënë vendin.
Të rinjtë përmes kësaj organizate gjermane e të tjera të ngjashme po gjejnë mundësi më të mira jetese e pune në Gjermani dhe vendet e tjera të Perëndimit.
Me Ligjin e ri të Pagave, Infermieret nga 6 shkurti i këtij viti do të marrin pagë mujore prej 588 eurove.
Ndërkaq 777 euro do të paguhen mjekët e përgjithshëm, kurse specialisti do të marrë pagën e 1260 eurove.