
Raporti: Fjolla Xheladini / Kanal10
Familje të shumta janë prekur nga tërmeti i ndodhur në Turqi e Siri, mëngjesin e së hënës. Shqiptarë të cilët jetojnë në afërsi të vendbanimeve ku ka ndodhur tërmeti, kanë rrëfyer për Kanal10 momentet dramatike të përballjes me këtë katastrofë natyrore. Në një nga qytetet ku ndodhi tërmeti ishte edhe ekipi i mundjes nga Kosova.
Shkatërrim objektesh e ndërtesash, zëra trishtues e drithërues, që thërrisnin për shpëtim.
Këto pamje e përjetime, pothuajse apokaliptike, të mëngjesit të së hënës nga tërmeti tronditës që goditi Turqinë e Sirinë, janë parë e dëgjuar edhe nga qytetarë të Kosovës.
Në kohën kur ishte dashur të niseshin për në Kosovë, pjesëtarët e ekipit të mundjes të Kosovës u detyruan të lënë gjithçka prapa vetes në hotelin e tyre në Kahramanmarash të Turqisë, për t’i shpëtuar tërmetit të fuqishëm që goditi këtë vend.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Mundjes të Kosovës, Genci Fazlija, ka thënë se ishin në hotel kur ndodhi tërmeti dhe se ata janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ai për Kanal10 ka treguar se kanë dëgjuar britma të njerëzve e kanë parë objekte që u rrafshuan me tokën.
Ndërkaq, për tërmetin shkatërrues kanë folur edhe familje shqiptare që jetojnë në Turqi.
Shqiptari Evren Kaja, i cili jeton në vendbanimet ku ndodhi tërmeti në Turqi ka rrëfyer për Kanal10 momentet tmerruese të mëngjesit të së hënës.
Ai ka shtuar se qytetarët e këtyre zonave ndodhen në një panik të madh dhe se vendbanimet janë në një kaos total, ku të gjithë interesohen për njëri-tjetrin, derisa vazhdojnë kërkimet nën gërmadha.
Tërmeti shkatërrues i mëngjesit të së hënës në Turqi dhe Siri ka lënë mijëra viktima e të plagosur, me shtëpi, ndërtesa e objekte të shumta të dëmtuara.