
Ndërhyrja kirurgjikale në mushkëri, së cilës iu nënshtrua Papa Leone XIV në spitalin Gemelli të Romës, ka përfunduar me sukses, brenda afateve dhe sipas mënyrës së parashikuar.
Pas operacionit, Ati i Shenjtë është kthyer në dhomën e tij të spitalit, njoftoi Salla e Shtypit e Vatikanit.
Papa, emri i të cilit është Robert Francis Prevost, iu nënshtrua ndërhyrjes për heqjen e një nyjëze në mushkëri. Operacioni u krye nga ekipi i kirurgjisë, i drejtuar nga profesori Stefano Margaritora.
Mediat italiane shkruajnë se, Atij i Shenjtë u largua nga Vatikani rreth orës 13:00 të së martës, më 13 tetor, përmes Portës së Perugino-s, duke përshëndetur personat e pranishëm.
Me të mbërritur në spitalin Gemelli, Papa zbriti nga automjeti dhe hyri përmes hyrjes kryesore të kompleksit spitalor, ku u përshëndet nga shumë njerëz që e prisnin në sheshin përpara ndërtesës. Ai u shfaq i qetë, i buzëqeshur dhe i prekur nga përzemërsia e njerëzve.
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, shprehu shpresën se problemi shëndetësor i Papës do të zgjidhet sa më shpejt.
“E takova Papën mbrëmjen e djeshme dhe biseduam me shumë qetësi. Ai është një shembull i madh edhe në këtë drejtim”, deklaroi Parolin për gazetarët, në margjinat e një aktiviteti në Universitetin Papnor Gregorian.
Kardinali theksoi se të gjithë ishin prekur nga qetësia me të cilën Papa kishte njoftuar për praninë e nodulit në mushkëri.