Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Guardiola i pasigurt për Haalandin, Arteta paralajmëron një Arsenal të uritur

Gazeta10
15 February 2023 - 10:45

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, nuk ishte i sigurt të martën nëse Erling Haaland do të jetë në dispozicion për ndeshjen e madhe të Premier Leagues kundër Arsenalit.

Sulmuesi u zëvendësua në pjesën e parë në fitoren 3:1 të Cityt ndaj Aston Villas të dielën, pas një dhimbjeje në muskulin e këmbës. Haaland mori pjesë në një seancë rikuperimi të hënën, por Guardiola nuk mund të thoshte nëse golashënuesi më i mirë i ligës, me 25 gola, do të ishte mjaftueshëm i shëndetshëm për të luajtur në “Emirates Stadium” të mërkurën (21:00) në një përballje midis dy ekipeve më të mira të Premier Leagues. Kjo është ndeshje e mbetur e xhiros së 12-të.

“Për momentin nuk e di”, tha Guardiola kur u pyet për Haalandin në fillim të konferencës për shtyp.

Ekipet janë të ndara me tri pikë në tabelë dhe City mund të shkojë në vendin e parë me fitore, ndonëse Arsenali ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Derisa tha se ishte një lojë “e rëndësishme”, Guardiola u përpoq të zvogëlonte peshën e saj. City, kampionin në fuqi, ka edhe 15 ndeshje për t’i luajtur.

“Kam ndjenjën se shumë gjëra kanë ende për të ndodhur”, tha Guardiola. “FA Cup dhe Liga e Kampionëve janë në fazën nokaut dhe ne do të përpiqemi të arrijmë në 8-10 ndeshjet e fundit në Premier League duke qenë në këto gara. Ky është objektivi. Unë do të thosha që e dueli me Arsenalin do të na ndihmonte të jemi atje në ato 8-10 ndeshje”.

City mundi Arsenalin 1:0 në Kupën FA muajin e kaluar, megjithëse ajo ndeshje ishte në “Etihad Stadium” dhe mysafirët kishin një formacion pak të dobësuar. Guardiola beson se ky është ekipi më i fortë i Arsenalit me të cilin është përballur që nga bashkimi me Cityn në vitin 2016.

“Deri më tani është skuadra më e mirë në Premier League, pasi në gjysmën e parë nuk ka bërë fare gabime. Do të jetë një betejë e madhe në të gjitha repartet”, paralajmëroi Guardiola.

Në anën tjetër, trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, tha se skuadra e tij do të ushqehet nga zemërimi kur të përballet me Manchester Cityn, në një ndeshje që ndoshta mund të vendosë për titullin e kampionit, të cilin londinezët po e kërkojnë prej vitit 2004.

Epërsia e Arsenalit ndaj Cityt në krye të tabelës u zvogëlua në tri pikë fundjavën e shkuar pas një barazimi të diskutueshëm 1:1 me Brentfordin. Arsenali mori një kërkimfalje nga organi përgjegjës për gjyqtarët, pasi goli i Brentfordit nuk ishte i rregullt.

“Kjo sigurisht i ka bërë lojtarët, stafin dhe tifozët tanë edhe më të fortë dhe me më shumë dëshirë për të kaluar këtë pengesë që ata na vendosën”, tha Arteta në konferencën për shtyp para ndeshjes. “Ne e përfunduam lojën pasi analizuam të gjitha imazhet që kishim me një zemërim dhe zhgënjim të madh, sepse ky nuk ishte një gabim njerëzor. Ishte e pranueshme. I kushtoi Arsenalit dy pikë dhe kjo nuk do të restaurohet”.

Arteta ishte pjesë e shtabit teknik të Cityt si ndihmës i Pep Guardiolës kur skuadra fitoi tituj radhazi në edicionet 2017/18 dhe 2018/19. City ka fituar edhe dy tituj në Premier League në dy sezonet e fundit dhe Arteta tha se skuadra nga Manchesteri mbetet pikë referimi për skuadrën e tij.

“Atë që City e ka bërë në gjashtë vjetët e fundit e ka merituar absolutisht”, shtoi Arteta. “Mënyra se si luan, mënyra se si ka garuar, mënyra se si ka kaluar nëpër vështirësi. Për ne sfida është të arrijmë në atë nivel dhe këtë duhet ta dëshmojmë në përballjen direkte që e kemi në shtëpi”.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.