
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot familjet e veprimtarëve Salih Mëziu dhe Idriz Rrecaj, në Marinë dhe Llaushë të Skenderajt.
Ata ishin pjesë e “Grupit të Intelektualëve”, të rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë nga forcat e armatosura serbe në prill të vitit 1999.
Mbetjet mortore të tyre u gjetën në një varrezë masive në Zubin Potok, ndërsa identifikimi përmes ADN-së u bë javë më parë.
Kurti ka thënë se familjet e tyre, sikurse ajo e Adem Beqirit, i cili u varros më 3 tetor, tashmë kanë marrë përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre, por ende kanë nevojë për drejtësi.
Ai ka kërkuar trysni ndërkombëtare ndaj Serbisë për zbardhjen e fatit të më shumë se 1.500 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Sot në Marinë dhe në Llaushë të Skenderajt vizituam familjet e veprimtarëve Salih Mëziu dhe Idriz Rrecaj, pjesë e “Grupit të Intelektualëve” të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë nga forcat e armatosuara të Serbisë në prill të vitit 1999, mbetjet mortore të të cilëve u gjetën në varrezën masive në Zubin Potok dhe të cilët u identifikuan javë më parë nëpërmjet ADN-së. Këto dy familje, sikur ajo e Adem Beqirit i cili u varros më 3 tetor, kanë marrë përgjigje por kanë nevojë për drejtësi.
Për më të dashurit e më shumë se 1500 personave tjerë ende të zhdukur nga lufta e fundit, dhimbja është tejet e madhe, ndërsa pritja përplot ankth. Trysnia ndërkombëtare mbi Serbinë që mbron e glorifikon kriminelët, fsheh e mohon krimet, sikurse mbyll e klasifikon dosjet, teksa vazhdon me mendësinë e viteve të ’90-ta, përveçse e domosdoshme, është e vetmja mënyrë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë dhe për t’i dhënë shans drejtësisë.