
Ambasada e Kosovës në Tiranë organizoi më 15 Shkurt pritjen e saj zyrtare me rastin e 15-vjetorit të pavarësisë.
Ajo që ra në sy në pritje, ishte mungesa e shumë ambasadorëve të perëndimit në Tiranë dhe politikanëve të rëndësishëm shqiptarë, përveç Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, i cili pas kësaj do nisej për vizite zyrtare në Kosovë.
Një protokoll i tillë nuk është parë kurrë gjatë këtyre 15 viteve. Dhe shkaku duket se ka qenë vetë protokolli i Ambasadës.
Nën udhëzimet e Ministres Gërvalla, ambasadori i Kosovës në Tiranë Skënder Durmishi, ka bërë të njohur gjithandej se ndryshe nga ambasadat e tjera të perëndimit, ai e ka ftuar Sali Berishën në pritje, si kreu i Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare.
Kjo megjithatë, ka shkaktuar reagime tek shumë diplomatë të perëndimit në Tiranë, të cilët nuk duan të kenë kontakte me Berishën. Sidomos kjo, sa i takon Ambasadës Amerikane, vend në të cilin Berisha është i përcaktuar si i padëshiruar nga Departamenti i Shtetit (non grata).
Në pritje pikërisht, mungoi ambasada e SHBA-vë, një gjë e paprecedente në historinë e raporteve të Amerikës me Kosovën.
Më tej munguan shumë ambasadorë të Perëndimit përveç atij të Gjermanisë, Austrisë dhe Britanisë së Madhe, të cilët ndoshta nuk kishin informacione për ftesën e bërë ndaj Berishës.
Nga ana e vet ndërkaq, as Berisha vetë nuk ka marrë pjesë në festën e organizuar, pasi ka pasur drojën se mund të “poshtërohej” dhe do ishte i izoluar në ngjarje, duke mos i folur kush.