
Të mërkurën do të fillojë xhiroja e 21-të në Albi Mall Superligën e Kosovës, ku do të zhvillohen tri ndeshje mjaft interesante.
Vëmendja kryesore do të jetë në stadiumin “Sami Kelmendi”, aty ku do të përballen Prishtina dhe Drita.
“Bardhekaltërit” hyjnë në këtë ndeshje pas dy humbjeve radhazi dhe nesër do të kërkojnë fitoren e parë në stinorin pranveror.
Ndërkohë, Drita në këtë ndeshje do të synojë fitoren për të qenë në ndjekje të kreut të tabelës.
Përballje tjetër interesante që do të luhet nesër është ajo mes Drenicës dhe Gjilanit.
Të dyja këto skuadra janë ende pa fitore në stinorin pranveror dhe do të kërkojnë triumfin nesër në stadiumin “Bajram Aliu”.
Përballja e fundit që do të luhet të mërkurën është ajo ndërmjet Malishevës dhe Ferizajit që do të luhet në stadiumin “Liman Gegaj”.
Ferizaj vjen te kjo ndeshje pas fitores së madhe që e arritën kundër Prishtinës, ndërsa Malisheva nesër do të tentojë fitoren e parë në stinorin pranveror.
Që të gjitha këto ndeshje startojnë me fillim nga ora 13:00.