
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar të premten se kanë nisur t’i trajtojnë raportimet për kurdisje të ndeshjeve në futbollin kosovar.
Në një njoftim për media, Prokuroria ka thënë se ka nisur të trajtojë rastet pas shkrimeve në portalet vendore.
Por, siç ka njoftuar Prokuroria, nuk mund të jepen detaje për shkak të integritetit të procesit.
“Duke u nisur nga shkrimet e publikuara ditëve të fundit në portalet vendore, lidhur me rastet e kurdisjeve të ndeshjeve futbollistike kosovare, Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se, është duke i trajtuar këto raste, andaj për shkak të integritetit të procesit në të cilën gjenden, nuk mund të japim detaje të tjera për opinionin e gjerë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Autoritetet në Francë të enjten kanë arrestuar nëntë persona të cilët dyshohen për kurdisje të ndeshjeve në Superligën e Kosovës.
Sipas gazetës së njohur franceze. Le Parisien, klubi i Llapit është i përfshirë në kurdisjen e katër ndeshjeve.