
Një delegacion nga Lugina e Preshevës duke filluar nga nesër do të qëndrojë në Washington.
Lajmin e ka bërë të ditur deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili ka thënë se brifingu i cili do të mbahet në senatin e ShBA-ve, është një mundësi historike për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Delegacioni, pjesë e të cilit do të jem bashkë me Ardita Sinanin e Ragmi Mustafin, Flora Feratin, Nagip Arifin e Ragmi Mustafën, për herë të parë do të ketë mundësinë që t’i drejtohet Senatit Amerikan dhe të raportojë për situatën në Luginë të Preshevës e për shqiptarët dhe pozitën e tyre. Përpjekjet tona për realizimin e të drejtave të plota dhe krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë, përveç që janë beteja politike të përbashkëta, janë edhe kërkesë e nevojë e përditshme e çdo qytetari shqiptar në Luginë të Preshevës. E përpjekja është obligim i yni. Në vend dhe jashtë vendit. Prandaj nuk duhet të lodhemi e aq më pak të heqim dorë”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.
Kamberi në fund ka falënderuar Qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila siç tha ai po mundëson vizitën e tyre, të tretën me radhë, brenda një viti në SHBA-a si dhe Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane për përkushtimin e parezervë për kauzën tonë të drejtë tash e dy dekada.