
Deputeti Haki Abazi duket se ka marrë vendim që përfundimisht t’i ndajë rrugët me Lëvizjen Vetëvendosje, pas krejt kundërshtimeve publike që ua bëri disa prej qëndrimeve e vendimeve të Qeverisë, së fundi, edhe për planin evropian.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, të cilin e ka nisur me “z.Kurti, këtu ndahen rrugët tona përfundimisht”, ai thotë se Kurti ka vazhduar rrugën e njëjtë si opozita.
“Po z. Kurti, këtu ndahen rrugën tona përfundimisht. Ti ke vazhduar në rrugën e njejtë me ata që janë opozitë- konfidenciale . Edhe ata flisnin për “fshisa kur pyeteshin për lisa”. Ju keni pranuar Zajednicën dhe jeni deklaruar në mënyrën më të pasinqertë! As autentike, as semantike por hipokrizi par-excellence. Së paku do e thoje hapur e në sy që e ke pranuar ose ta refuzoje me qartësi!” – ka thënë ai.
Një ditë pas publikimit nga Bashkimi Evropian të planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Abazi duket të jetë kundër disa pikave që ndodhen aty.
“Ju jeni dakorduar me marrëveshjen kornizë që ka dy elemente fundosëse për Kosovën. Një konzervimi i rolit specifik të Kishës Serbe kundrejt komuniteteve tjera fetare dhe asociacionit apo zajednices së komunave me shumicë Serbe.” – tha ai.
Tutje, Abazi duke iu drejtuar Kurtit, i ka thënë se ai është “vazhdimësia e së kaluarës, e jo ndryshimi”.
“Dmth z. Kurti ju jeni vazhdimësia e së kaluarës, ju nuk jeni ndryshimi. Luftën për të eliminuar njerëzit potencial për të udhëhequr me vendin ata e bënë me tyten e pushkës dhe revolës duke i dërguar në varr, Ju keni adoptuar luftën speciale, ushtrinë e facebook dhe rrjetet sociale për të eliminuar, këdo që nuk i nënshtrohet liderit suprem. E ke rrethuar veten me njerëzit e pushteteve të kaluara, me vepra penale, nënshkrues të demarkacionit dhe marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015. Ke përjashtuar aktivisitët dhe përkrahësit më të devotshëm dhe po i mbronë e po i mbanë afër njerëzit e korruptuar, ata që e shkatërruan urbanizmin, privatizuan e përfituan, dhanë leje për kompensim me villa.” – ka shkruar deputet Abazi.
Ai ka publikuar edhe nenin 7, 10 dhe 11 të planit evropian, që sipas tij, përcaktojnë qartë “Zajednicën”.
“Përmbysjen e keni bërë duke e konfirmuar që jeni produkt i luftës së eliminimit, jeni zgjatja pas gjykatës speciale, jeni faza e re e tranzicionit të vjetër. Prioriteti kryesor është matja e opinionit publik dhe deliri për pushtetin. Pushtet që përdoret për të ushqyer egot, për të servilosur ata që ndjehen për herë të parë gjallë sepse si qenie politike nuk kanë ekzistuar dhe jashtë politikës do të ishin maksimumi sekser të akreditimit të universiteteve apo anëtarë të rinisë demokratike apo shfrytëzues të kartelave të Behxhet Pacollit. Kaq, këta janë njerëzit që ke përzgjedhur të bëhen fytyrat e përmbysjes së shpresës së madhe dhe transformimit të qeverisjes.” – tha ai.
Abazi tutje ka vlerësuar se rezultati i zgjedhjeve locale, për të cilin konsideron se ka qenë dështim i LVV-së, ishte fatura “e papaguar” e kryeministrit Kurti.
“Në takimin e fundit para zgjedhjeve lokale i the grupit parlamentar: qetësisht po presim fitorën në zgjedhjet komunale për të marrë në dorë pushtetin që siguron ndryshimin e njerëzve. Dështimi në zgjedhjet lokale është fatura jote e papaguar! Në të ashtuquajtura zgjedhje të brendshme ju keni treguar qëllimin përfundimtar, ata që kanë kurriz e integritet gjejeni formën për t‘i lënë jashtë me çdo kusht qoftë edhe duke u kujdesur që personalisht të caktoni diagnosa për të anatemuar dhe stigmatizuar e më pastaj me profilet e ushtrisë fiktive online të shkatërrohen politikisht. Kokat e turkut të janë dashur për të mbuluar dështimin. Kjo mund të bëhet nga një mendje e korruptuar me fajllat e komunistëve. Servilët janë në rregull- Kadri Hazbiu, Beqir Balluku… Jo.” – tha ai.
Abazi duket se ka përmendur edhe “vrasje politike”, duke thënë se janë instrument që funksionojnë shkurtë dhe se “tradhëtia del”.
“Deri tani teoria që të përfshishë njerëzit për t’i shkatërruar nga brenda të ka funksionuar, por kjo nuk shkon gjatë. Vrasjet politike janë instrument që funksionojnë shkurt, gjaku të ze, tradhëtia del- nuk rri dot e konzervuar. Zhurma e militantëve dhe përkrahja e servilëve zhduken si fluskë sapuni. Të parë janë më pak se sa simpatizantët e një klubi futbollistik e të dytët janë më shumë, ata të duan sepse e kanë parë që nuk keni aftësi as të i lëvizni nga “kullosa” ku kanë kullotur në kohën e pushteteve. Përkundrazi ju jeni bërë shërbëtorë në grazhdin e tyre, në konferenca e përvjetore që i ben për të krijuar përcepcion. Këto as nuk janë strategji e as përmbajtje e AQ me pak bindje. Vetëm përceptim dhe asnje gjë më shumë. Në anën tjetër këtë përceptim po doni ta ushqeni me sadakanë e 100 euroshit dhe ndihmat. Po i merrni nga populli për t‘i dhënë të njejtat, paratë e veta. Kjo nuk është ndonjë e arritur e as edhe politikë sociale, kjo është sadaka me pare të huaja.” – shtoi Abazi.
Ai ka kritikuar Qeverinë Kurti II edhe për fushën e diplomacisë e drejtësisë.
“Dy vite, as edhe një ligj, as edhe një strategji, as edhe një sukses në fushën e diplomacisë. Dy vite shterpësi totale dhe përceptime pa përmbajtje. Kështu përfundohet në pozita të krijuara nga diplomacia e Serbisë, merre ose lere! Për drejtësi e pamë, shkarkimi i vetëm ishte për shkak të mendimit dhe kritikës,asnjë shkarkim për mospunë dështimet dhe korrupcionin.” – shkroi ai.
Në fund, Abazi ka thënë: “Më vjen mirë që nuk jam pjesë e Komisionit që do të duhej t’i mbante tupanin e hipokrizisë për vallën e servilëve dhe pakurrizorëve! Vazhdojmë kur të lodhen zhurmat!”/Gazeta10