
Policia suedeze arrestoi të premten një adoleshent për vrasjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri gjatë të shtënave në një qendër tregtare në qytetin jugor të Malmos, shkruan Reuters, transmeton Gazeta10.
Një burrë vdiq nga plagët e marra dhe një grua po trajtohet në spital pas incidentit në qendrën Emporia, thuhej në njoftimin e policisë.
“Rreziku i menjëhershëm për publikun vlerësohet i mbaruar”, thuhet në njoftimin e policisë. Aktualisht, ngjarja konsiderohet të jetë e lidhur me mjedisin kriminal”.
Policia ka qenë në vendngjarje duke marrë në pyetje dëshmitarët dhe duke shqyrtuar materiale nga kamerat e vëzhgimit.
Përfaqësues nga policia dhe qyteti i Malmos do të mbajnë një konferencë shtypi të shtunën në mëngjes.
Më herët, policia tha se kishte rrethuar zonën dhe i kërkoi publikut të shmangte shkuarjen në qendrën tregtare. / Gazeta10