
Gjykata Themelore në Gjakovë të enjten, në rigjykim, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit SH.P i cili akuzohej se kishte tentuar ta vrasë ish-bashkëshorten e tij me një tavolinë druri, duke e goditur atë disa herë në pjesë të ndryshme të trupit.
Shpallja e aktgjykimit u bë të enjten nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sulltan Dobraj, ku i akuzuari SH.P u dënua me 8 vite burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se i akuzuari Sh.P, më 19 dhjetor 2021, në Gjakovë, me dashje dhe me mjet të fortë tenton ta privojë nga jeta ish-bashkëshorten e tij, A.A.Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që ditën kritike i njëjti kishte shkuar në banesën e të dëmtuarës për të biseduar rreth pajtimit mes tyre për hir të djalit, papritmas i njëjti fillon që ta përkëdhelë dhe përqafojë të dëmtuarën, e njëjta refuzon, i akuzuari në shenjë nervoze e kapë për fyti e gjuan për dysheme, derisa të dëmtuarës fillon t’i humb vetëdija, për një moment kur fillon të kthjellet e njëjta ngritet në këmbë dhe mundohet të ikë.
Por, aktakuza thotë se i akuzuari arrin ta kapë për flokësh dhe merr një tavolinë druri e godet pa mëshirë kryesisht në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, derisa kjo tavolinë thyhet në kokën e të dëmtuarës, e kjo e fundit mbetet e shtrirë për dysheme pa ndjenja dhe tërësisht e gjakosur, duke i shkaktuar kështu lëndime të rënda trupore. Me këto veprime, Sh.P., akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë e mbetur në tentativë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal. /Gazeta10/