
Ambasadori Wolfgang Petritsch, me shumë përvojë në diplomacinë evropiane dhe ndërkombëtare, ka rrëfyer pikëpamjet e tij për marrëveshjen e fundit në Bruksel, në një intervistë ekskluzive për Gazeta 10.
Në këtë intervistë, ai flet për rëndësinë e arritjes së marrëveshjes, dhe veçmas fillimin e zbatimit të saj.
Aty ai kërkon që Kurti dhe Vuçiq ta marrin seriozisht propozimin evropian, dhe që duhet të fillojë nga formimi i Asociacionit i cili nuk është një Republika Srpska tjetër në Kosovë.
Intervista e plotë
Gazeta 10: Si e shihni propozimin evropian për Kosovën dhe Serbinë? A mendoni se kemi një situatë mes palëve, humbës dhe fitues apo fitues-fitues?
Ambasadori Petritsch: Vlerësimi im është i dyfishtë:
Së pari: Pas kaq shumë vitesh stagnimi në Dialogun Prishtinë/Beograd të sponsorizuar nga BE-ja, dy fuqitë më të rëndësishme të BE-së, Gjermania dhe Franca, duan të shohin më në fund përparim drejt normalizimit në rajon.
Të dy palët – Prishtina dhe Beogradi – duket se besojnë se ngërçi aktual paraqet më pak rrezik për qeveritë e tyre përkatëse. Kjo është e papranueshme për Berlinin dhe Parisin dhe për këtë arsye ata kanë përgatitur një propozim të formuluar me kujdes, i cili duhet të pranohet nga të dyja palët. Shpresoj që Vuçiq dhe Kurti ta marrin seriozisht këtë çështje. Është e vështirë për ta, e kuptoj, por do të ishte në interesin më të mirë për Kosovën e Serbinë. Mund të rezultojë të jetë një skenar i favorshëm për të dy. Pranimi i propozimit franko-gjerman do ti’u tregonte partnerëve të tyre më të rëndësishëm në Evropë dhe SHBA, se Kosova dhe Serbia janë të gatshme të bëhen partnerë të përgjegjshëm evropianë.
Së dyti: Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka nevojë për vëmendjen e plotë të Evropës dhe SHBA-së. Çështjet e pazgjidhura nga luftërat në ish-Jugosllavi – Bosnje dhe Kosovë – i ofrojnë Putinit mundësi për të luajtur lojën e tij të ndyrë në rajonin tonë. Nuk duhet të harrojmë se Moldavia ka problemin ende të pazgjidhur të Transnistrisë me trupat ruse të vendosura në këtë territor separatist. Shkurtimisht: Evropa dhe SHBA duan të shohin një hap pozitiv përpara.
Gazeta 10: Njohja reciproke që dikur ishte një pikë qendrore, sot askush nuk po e përmend më. A shihni këtë proces normalizimi një lloj “ngrirje” mes dy vendeve?
Ambasadori Petritsch: Jam i vetëdijshëm se njohja reciproke është e rëndësishme, me të vërtetë shumë e rëndësishme. Po ju jap një shembull se si Prishtina mund të kontribuojë në çështjen e njohjeve: Themelimi i Asociacionit do të thoshte një hap vendimtar drejt njohjes së Kosovës. Sepse vetëm një shtet mund të krijojë një Asociacion të tillë që Prishtina e pranoi 10 vjet më parë dhe që Beogradi dëshiron ta shohë të zbatuar. Ndoshta kryeministri Kurti dhe Kuvendi duhet të mendojnë më shumë në këtë drejtim.
Gazeta 10: Serbia duke insistuar në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë për disa ekspertë do të thotë se dëshiron të ketë një “Republika Srpska” të dytë në Kosovë? A e shihni ngjashmërinë me BeH?
Ambasadori Petritsch: Sigurisht që është e rëndësishme që zbatimi i Asociacionit të bëhet me kujdesin më të madh në mënyrë që Kosova të bëhet një shtet multietnik dhe funksional (ndryshe nga Bosnja). Kjo duhet t’ia lehtësojë jetën e përditshme të komunitetit serb. Por duhet të përmirësojë edhe marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe qeverisë në Prishtinë. Kjo do ta ndihmonte jashtëzakonisht procesin e normalizimit. Nuk do të jetë e lehtë por duhet bërë. Asociacioni nuk është një Republika Srpska tjetër. Komuniteti ndërkombëtar ka mësuar nga përvoja me Presidentin Dodik, i cili ka një përgjegjësi të madhe për problemet e vazhdueshme në Bosnje. Kaq shumë vite pas përfundimit të luftës në Bosnje, z. Dodik nuk tregon asnjë shenjë të një shpirti bashkëpunues për të mirën e shtetit të BiH. Kjo nuk duhet të përsëritet në Kosovë. Idealisht, Asociacioni mund të ndihmojë për afrimin e komunitetit serb dhe shumicës shqiptare. Do të jetë padyshim një hap i rëndësishëm drejt BE-së.
Gazeta 10: Sa i përket zbatimit të aneks-marrëveshjes dhe formimit të Asociacionit, nga përvoja juaj e gjatë si diplomat, a mendoni se kryeministri Albin Kurti do ta zbatojë dhe themelojë Asociacionin? Cila është përshtypja e juaj?
Ambasadori Petritsch: Unë e respektoj kryeministrin Kurti, ai është një politikan me përvojë dhe korrekt. Ajo që do të dëshiroja është që ai të kuptojë se tani është koha për të marrë vendime të vështira. Propozimi franko-gjerman është një bazë e mirë për përparim.