Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Rama: Shërbimet partnere patën vlerësime të shkëlqyera, Vlora Hyseni i ka borxh të madh moral Shqipërisë

Gazeta10
27 September 2026 - 16:12

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e quajti “fatkeq” skandalin me ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shqipërisë, Vlora Hyseni, e cila ndodhet nën arrest shtëpiak, nën dyshimin për “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.

Me t’u kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rama iu drejtua shqiptarëve nga aeroporti, ku tha se Hyseni kishte marrë referenca të shkëlqyera nga shërbimet sekrete partnere para se ai ta vinte në krye të SHISH-it.

“Hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit janë detyrë ekskluzive e drejtësisë. Kjo nuk ha asnjë diskutim. Kurse mbrojtja e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe jo vetëm, nga çdo dëm i panevojshëm kolateral, është detyrë e të gjithë shtetit”, tha ai.

Rama tha se e ka vlerësuar punën e 42-vjeçares nga Kosova në drejtimin e Shërbimit Informativ të Shqipërisë.

“Po njësoj, vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë për punën e saj kanë qenë vijimësisht shumë pozitive. Ndërsa orvatjet e këtyre ditëve për ta shpjeguar emërimin në krye të SHISH-it me tyrli lloj fantazish konspirative, nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me të vërtetën”, tha ai.

Në vijim ai shpjegoi se si e emëroi atë në krye të shërbimit sekret të vendit.

“Si zakonisht e vërteta është e thjeshtë. Fillimisht ka nisur të punojë pranë meje në rolin e këshilltares që mbulonte marrëdhëniet me institucionet e sigurisë. Pas një periudhe jo të shkurtër në atë rol, si dhe bazuar mbi referencat e shkëlqyera të marra nga shërbimet parnere — nënvizoj: e shkëlqyera — ajo është emëruar drejtuese e Shërbimit”, tha ai.

Rama tha se Hyseni tani “ka hapur llogari të vështirë me drejtësinë” dhe “i ka borxh të madh moral” Shqipërisë.

“As nuk vihet sot në diskutim se ish drejtuesja e SHISH-it ka hapur një llogari shumë të vështirë me drejtësinë, përveçse ka hyrë në një borxh të madh moral me këtë vend ku mori besim të pakursyer”, tha ai.

Vlora Hyseni ishte shkarkuar nga pozita e zëvendësdrejtoreshës në AKI në qershor të vitit 2021, me vendim të presidentes së atëhershme të Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.

Institucionet e Kosovës nuk kishin dhënë asnjëherë detaje për arsyet e shkarkimit. Ajo u detyrua t’i dorëzonte materialet që i kishte administruar dhe t’i ruante informacionet e marra gjatë ushtrimit të detyrës. Në një komunikatë të lëshuar nga institucionet e Kosovës atëherë, thuhej se vendimi për shkarkimin e saj ishte mbështetur në ligjin për shërbimin sekret. Aty përmendej se “zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara” përbënte vepër penale sipas legjislacionit në fuqi.

Pas largimit nga AKI-ja, Hyseni në shtator të atij viti u bë këshilltare për sigurinë kombëtare e Ramës.

Në vitin 2023, ajo u emërua në krye të SHISH-it në Shqipëri.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.