
Raporti: Kanal10
Faktori ndërkombëtar ka vlerësuar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në rrugën e duhur. Përfaqësues të Bashkimit Evropian kanë thënë se presin që palët të çojnë përpara temat e diskutimit, duke ofruar mbështetje për këtë proces. Dialogu Kosovë-Serbi është diskutuar edhe në takimin që presidentja e Komisionit Evropian ka zhvilluar me presidentin e SHBA-së, Joe Biden.
Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka mbyllur vizitën dyditore në Prishtinë, duke takuar të gjithë ambasadorët e akredituar.
Emisari evropian ka thënë se e ka informuar komunitetin ndërkombëtar për hapat e ardhshëm dhe pritjet rreth dialogut mes të dyja shteteve.
“E fundit, por jo më pak e rëndësishme, e informova komunitetin ndërkombëtar në Kosovë për gjendjen e dialogut, hapat e ardhshëm dhe pritjet tona për ditët dhe javët në vijim. Mirënjohës për interesimin dhe mbështetjen e tyre.”
Lajçak gjatë qëndrimit në Kosovë ka takuar krerët e shtetit dhe të partive opozitare.
Gjithashtu, ai ka zhvilluar takime edhe me Listën Serbe, shefin e UNMIK-ut e të EULEX-it si dhe komandantin e KFOR-it.
Ndërkohë, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë temë diskutimi edhe në takimin në mes të presidentit amerikan Joe Biden dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen që është zhvilluar në Uashington.
Von der Leyen ka thënë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara mbështesin dialogun ndërmjet dy vendeve, duke thënë se ka një plan të mirë në tryezë.
“Ne e prekëm temën e dialogut shkurt. Është shumë e rëndësishme që dialogu Serbi-Kosovë të vazhdojë. Nuk është e lehtë. Ka ende shumë çështje për të zgjidhur, por është duke ecur në drejtimin e duhur, dialogu ka mbështetje të plotë nga të dyja palët tona”, tha Von der Leyen.
Të shtunën e 18 marsit do të ketë një tjetër takim të nivelit të lartë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me pjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq.
Në takimin e Ohrit pritet të diskutohet plani i BE-së për dialogun dhe aneksi për zbatimin e tij./Gazeta10