
Këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti, për Luginën e Preshevës, Ardita Sinani ka ftuar emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që t’i takojë shqiptarët e Luginës, njëjtë siç ka takuar serbët në Kosovë.
Sipas saj, takimi me përfaqësues të serbëve të Kosovës dhe mungesa e takimeve me të zgjedhurit e shqiptarëve në Luginë “mund të kontribuojë në dërgim të mesazheve të gabuara për qarqet që po nxisin destabilizimin e gjendjes së sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, sikurse tash në veriun e Kosovës”.
“Shqiptarët në Luginën e Preshevës në veçanti dhe ata në Serbi në përgjithësi, si komunitet joshumicë, mbeten të diskriminuar dhe të shtypur. Këtë e konfirmojnë me dekada edhe raportet e ndryshme zyrtare të instancave të Bashkimit Evropian dhe të administratave respektive amerikane”.
Sinani ka thënë se harmonizimi i standardeve të të drejtave të komuniteteve joshumicë mes dy shteteve, “është në interes të paqes së nesërme midis tyre”./Gazeta10