
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me rastin e ditës së Flamurit dhe 111 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ka uruar të gjithë shqiptarët për festën e 28 nëntoit.
Ai në postimin e tij ka përmendur emrat më të rëndësishëm që lidhen me këtë datë duke thënë se Shqipëria u bë realitet përmes sakrificës dhe guximit të një brezi të lavdishëm.
“Kjo datë, mban emrin e Ismail Qemailit bashkë me patriotët e tjerë, që shpallën pavarësinë e Shqipërisë. Sot, e kujtojmë dhe Presidentin historik, Ibrahim Rugova, që me idenë dhe bërjen e shtetit të Kosovës, e plotëson këtë ditë të madhe. E kujtojmë komandantin legjendar, Adem Jashari, sakrifica e të cilit është shembull për mbrojtjen e pragut të shtëpisë. I kujtojmë e nderojmë dëshmorët, heronjtë dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.”, ka thënë Abdixhiku.
Urimi i plotë:
Gjithë shqiptarëve kudo që janë urime 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, ditën historike, që u fitua me shumë sakrificë nga patriotët, burrat e gratë, që kishin ideal të përbashkët, rrugën për liri e pavarësi.
Në këtë ditë feste, kujtojmë me krenari lindjen e një kombi të lirë dhe pavarur, të ndërtuar mbi idealin dhe vlerat e përbashkëta kombëtare. Shqipëria u bë një realitet përmes sakrificës dhe guximit të një brezi të lavdishëm, i cili vendosi të sfidojë çdo pengesë për të shpallur pavarësinë dhe për të ndërtuar një shoqëri, mbi vlerat e lirisë dhe demokracisë.
Kjo datë, mban emrin e Ismail Qemailit bashkë me patriotët e tjerë, që shpallën pavarësinë e Shqipërisë. Sot, e kujtojmë dhe Presidentin historik, Ibrahim Rugova, që me idenë dhe bërjen e shtetit të Kosovës, e plotëson këtë ditë të madhe. E kujtojmë komandantin legjendar, Adem Jashari, sakrifica e të cilit është shembull për mbrojtjen e pragut të shtëpisë. I kujtojmë e nderojmë dëshmorët, heronjtë dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa kontributin e tyre, Kosova dhe Shqipëria nuk do të ishin si sot!
Shqipëria si shtet pas tërë këtyre viteve të pavarësisë, është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon.
Zoti i bekoftë shqiptarët!’