
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, përmes një komunikate të përbashkët me Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës, Flutura Kusari, Lëvizjen FOL, Institutin e Kosovës për Drejtësi, Çohu, INPO, Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA, Instituti i Prishtinës për Studime Politike– PIPS dhe Institutin Musine Kokalari, kanë dënuar ashpër ndërhyrjen politike në punën e Komisionit të Pavarur të Mediave.
Në komunikatë thuhet se kanë përcjellur mbledhjen e jashtëzakonshme të Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal në Kuvendin e Kosovës të mbajtur sot. Tutje thuhet se në mbledhje që zgjati katër orë, deputetët e VV-së në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin për KPM, praktikat dhe standardet ndërkombëtare që promovojnë pavarësinë institucionale të mekanizmave të tillë, ushtruan presion publik të paprecedent ndaj anëtarëve të KPM-së lidhur me miratimin e vendimeve që hyjnë në fushëveprimtarinë e këtij institucioni të pavarur kushtetues “Dëgjimi “mbikëqyrës” i deputetëve të Kuvendit të Kosovës i përcjellur me sulme dhe etiketime ndaj anëtarëve të KPM-së, përveç se ka shkelur pavarësinë institucionale, po ashtu ka cenuar edhe integritetin dhe dinjitetin personal të anëtarëve të këtij institucioni kushtetues. Kjo sjellje e partisë në pushtet prodhon mosbesim të qytetarëve në institucionet e pavarura dhe në punën e KPM-së”, thuhet tutje në komunikatë.
Tutje, AGK është shprehur se dëgjimi mbikëqyrës ishte manifestim i drejtpërdrejtë i ndërhyrjes politike nga ana e VV-së në pavarësinë e anëtarëve të KPM-së.
“Sipas Kushtetutës dhe ligjit, anëtarët e KPM-së i marrin vendimet në mënyrë të pavarur dhe duke u bazuar në profesionalizëm, njohuri dhe bindje të tyre. Vendimet e KPM janë subjekt i të drejtës për ankesë përfshirë të drejtën për të shfrytëzuar mjetet juridike në gjykatë të garantuara me Kushtetutë dhe ligj”, janë shprehur nga AGK-ja. Më tej, ata i kanë ftuar deputetët e VV-së që të ndalin sulmet e tilla që cenojnë pavarësinë e këtij institucioni dhe të përmbahen nga komentimi publik apo në Kuvend i vendimeve të tij.