
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar gjuhën e U.D të drejtorit të Financave të Telekomit, Feim Kelmendit, ndaj gazetarëve të Klan Kosovës, raporton Gazeta10.
Në reagimin e AGK-së thuhet se ky institucion është njoftuar nga gazetarët e Klan Kosovës për gjuhën denigruese dhe kërcënuese që drejtori i Financave në Telekomin e Kosovës e ka përdorur kundër këtij ekipi të televizionit.
Më tej, në reagim thuhet se Kelmendi këtë gjuhë e ka përdorur në një seri emailesh.
Tutje, AGK i ka bërë thirrje Bordit dhe Drejtoreshës së këtij institucioni që të distancohen nga gjuha ofenduese dhe kërcënuese e zotit Kelmendi si dhe ai dhe zyrtarët e tjerë të kryjenë punën e tyre duke ofruar informatat e nevojshme për mediat.
Këtu keni statusin e plotë:
“AGK-ja dënon gjuhën e U. D të Drejtorit të Financave të Telekomit, Feim Kelmendi ndaj gazetarëve të Klan Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, është njoftuar nga autorët dhe gazetarët e emisionit “Kiks Kosova” në Klan Kosova, për gjuhën denigruese dhe kërcënuese që drejtori i Financave në Telekomin e Kosovës, Feim Kelmendi, ka përdorur ndaj ekipit të këtij televizioni.
Në një seri emailesh, Kelmendi i është referuar Klan Kosovës si “televizion i klanit kriminal Devolli”, dhe gazetarëve si “shërbëtorë të klanit kriminal”. AGK-ja vlerëson se gjuha e tillë është e papranueshme dhe shumë e rrezikshme.
Telekomi i Kosovës, si ndërmarrje publike e ka për obligim t’u përgjigjet gazetarëve dhe medieve për financat, kontratat dhe të tjera pyetje të interesit publik.
AGK-ja i bën thirrje Bordit dhe Drejtoreshës së këtij institucioni që të distancohen nga gjuha ofenduese dhe kërcënuese e zotit Kelmendi, dhe të kujdesen që ai dhe zyrtarë të tjerë të kryejnë punën e tyre duke ofruar informatat e nevojshme për mediet.
#SafeJournalists”, thuhet në reagimin e AGK-së në Facebook. / Gazeta10