
Akademia e Arteve dhe Shkencave të Kosovës ka publikuar sot një analizë të saj me titullin “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, ku ndër të tjera e ka kritikuar ashpër politikën shqiptare dhe Edi Ramën, raporton Gazeta10.
Në këtë analizë në pjesën Shqipëria dhe projekti “Ballkani i Hapur”, analiza fillon me një kritikë ndaj politikës shiqptare në përgjithësi e cila kap një dimension më të gjatë historik.
“Në përgjithësi, politikat e Shqipërisë ndaj Kosovës, që nga viti 1912 kanë qenë kontradiktore, jokonsekuente, në shumicën e rasteve të tilla që kanë sakrifikuar idealizmin e Kosovës për pragmatizmin politik të shtetit shqiptar”, thuhet ndër të tjera.
Më tej, në këtë analizë thuhet se vazhdimisht Shqipëria është afruar me Jugosllavinë apo Serbinë duke e tejkaluar Kosovën madje edhe duke e sakrifikuar atë.
“Historikisht është e njohur se afrimi i Shqipërisë në çfarëdo mënyre me Jugosllavinë ose Serbinë, doemos duhet të eklispojë çështjen e Kosovës, madje shpesh ta sakrifikojë atë”, thuhet më tej.
Tutje, Akademia e Arteve dhe Shkencave të Kosovës e ka kritikuar Partinë Sociste në Shqipëri që udhëheq Shqipërinë qe tri mandate në krye me Edi Ramën, duke thënë se po e instrumentalizon Kosovën për konsum të brendshëm politik.
“Partia Socialiste e Shqipërisë, por jo vetëm ajo, pothuajse rregullisht i kthen në agjendën e saj politike recidivizmat e vjetra antikosovare, sa herë që këtë e sheh të përshtatshme, për të larguar vëmendjen nga ndonjë krizë e brendshme politike”, thuhet më tej.
Më tej, kritikohet edhe taksa në rrugën e kombit duke thënë se me këtë politikë, e majta e Shqipërisë po e denigron këtë projekt dhe se po ia zhvlerëson vlerën.
“E majta e Shqipërisë do të zhvillojë një propagandë denigruese kundër këtij projekti, madje edhe duke vendosur edhe një taksë ndëshkuese për të gjitha mjetet e transportit, në mënyrë që simbolika e kësaj rruge të zhvlerësohet përfundimisht”, thuhet më tej.
Tutje, aty kritikohet edhe projekti Ballkani i Hapur, roli dhe arsyetimi i Shqipërisë për këtë projekt.
“Së fundmi, arsyetimi i Shqipërisë se projekti “Ballkani i Hapur” është një hap përpara në “Procesin e Berlinit” është krejtësisht i paqëndrueshëm sepse “Procesi i Berlinit” nënkupton përfshirje të barabartë dhe të njëhershme të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor ( Bosna e Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) dhe jo si “proces i bashkëngjitjes” që dikush t’i bashkohet dikujt siç pretendohet me projektin “Ballkani i Hapur” thuhet ndër të tjera në këtë analizë. / Gazeta10