Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

AKB: Kosova nuk guxon të mbetet peng i errësirës energjetike, Qeveria të zgjedhë gazin amerikan

Gazeta10
10 June 2026 - 14:16

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka bërë thirrje që institucionet e Kosovës të marrin sa më shpejt vendime strategjike për sigurinë energjetike të vendit, duke theksuar se çdo vonesë në përfshirjen e Kosovës në projektet e gazit natyror dhe LNG-së amerikane po i kushton ekonomisë miliona euro.

Përmes një reagimi publik, AKB ka shprehur shqetësimin se Kosova, edhe pas më shumë se dy dekadash liri dhe 18 vitesh shtetësi, ende nuk ka një strategji të qartë dhe afatgjatë për sigurinë energjetike.

Sipas AKB-së, ndërsa vendet e rajonit po investojnë në diversifikimin e burimeve energjetike dhe po lidhen me rrjetet moderne të gazit natyror, Kosova rrezikon të mbetet e izoluar nga projektet strategjike që garantojnë zhvillim ekonomik dhe siguri kombëtare.

“Refuzimi ose neglizhimi i mundësisë për t’u përfshirë në projektet e gazit natyror dhe LNG-së amerikane do të ishte një gabim historik me pasoja të rënda ekonomike, energjetike dhe gjeopolitike për Republikën e Kosovës”, thuhet në reagim.

AKB thekson se për komunitetin e biznesit kjo nuk është çështje politike, por çështje mbijetese dhe zhvillimi ekonomik. Sipas saj, pa furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji nuk mund të ketë industri konkurruese, investime serioze, vende të reja pune dhe rritje ekonomike të qëndrueshme.

Po ashtu, organizata vlerëson se bizneset kosovare tashmë po përballen me kosto të larta të energjisë dhe pasiguri në furnizim, duke humbur konkurrueshmërinë në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.

AKB ka shprehur mbështetje të fuqishme për bashkëpunimin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar se qasja në gazin amerikan përfaqëson jo vetëm një alternativë energjetike, por edhe një garanci për sigurinë ekonomike dhe gjeopolitike të Kosovës.

Në fund, AKB i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, Kuvendit dhe institucioneve përgjegjëse që të ndalin hezitimet dhe zvarritjet administrative, duke theksuar se vendimet e vonuara do të paguhen shtrenjtë nga qytetarët dhe bizneset.

“Kosova duhet të zgjedhë mes varësisë energjetike dhe sigurisë energjetike. AKB është qartë në anën e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar kryetari i AKB-së, Agim Shahini.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.