
Mbrëmë në rrugën Ferizaj-Shtime ka ndodhur një aksident tragjik ku mbetën të vdekur katër persona, për rastin Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë se si ka ardhur deri te aksidenti, raporton Gazeta10.
Policia tregon se deri tek aksidenti ka ardhur si pasojë e humbjes së kontrollit nga shoferi i automjetit.
“Deri tek aksidenti dyshohet se ka ardhur kur drejtuesi i njërës nga veturat për arsye deri më tani të pa njohura, humb kontrollin mbi veturë dhe godet dy veturat tjera të cilat ishin duke lëvizur në drejtim të kundërt”, thuhet në raportin e Policisë.
Policia ka bërë të ditur se tri nga viktimat kanë vdekur në vendin e ngjarjes ndërsa njëri nga ta ka vdekur në Emergjencën e Ferizajt.
“Nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes është konstatuar se tre viktima meshkuj kosovarë janë pa shenja jete, ndërsa tre të lënduar tjerë janë dërguar në Emergjencën e Ferizajt, ku më pas ka ndërruar jetë edhe viktima e katërt mashkull kosovar ndërsa dy të lënduarit e tjerë janë dërguar në QKUK në Prishtinë për tretman të mëtutjeshëm mjekësor”.
Nga policia është thënë se në vendin e ngjarjes ka dalur edhe prokurori i shtetit./Gazeta10