
Reagime të shumta publike erdhën pas lajmit për tentim largimin e gurit përkujtimor të Nënë pashkë Markaj. I pari që shkroi ishte profesori universitar Ag Apolloni duke postuar edhe foto nga vendi i ngjarjes. Sipas Apollonit, ka dyshime se pronari i tokës, Hasan Zenun Bala, e ka marrë këtë vendim për arsye fetare dhe politike.
“Ekzistojnë dyshime se heqja e këtij guri është bërë për arsye fetare (sepse pronari është frikësuar se aty mund të ngritet një kishë, pavarësisht se familja e Pashkës e ka siguruar që nuk do të ngritet asnjë kishë aty), dhe për arsye politike (se s’i paska pëlqy që kryeministri e paska shkelë arën e tij, kur ka bërë homazh te guri. Ai gur nuk është objekt fetar, as nuk është gurthemel kishe, as që ka të bëjë fare me politikë. Çdo kryeministër në të ardhmen duhet të bëjë homazh tek ai gur. Ai gur është simbol i një tragjedie kombëtare” shkroi mes të tjerash Apolloni.
Për këtë reagioi edhe Sébastien Gricourt, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Ai e ka cilësuar këtë veprim si akt të pafalshëm. “Po, ai ishte vendosur buze një fushe private, dhe ky shkemb kurre s’pati ndonje status zyrtar publik, dhe per kete arsye pronari veproi lirisht. Por eshte turp per kete njeri dhe meriton nje denim moral sepse duke vepruar ashtu e vrau kujtimin qe i takon gjithe shoqerise, bile jo larg varrezave te Mejes” tha këshilltarii zëvendëskryeministrit Bislimi.
Edhe profesori universitar Blerim Latifi shkroi në rrjetin social Facebook për këtë veprim. “Dikur shenjat e vuajtjeve tona, na i hiqnin pushtuesit, ndërsa sot barbarinë e tyre e kanë zëvendësuar barbarët e dalë nga mesi jonë. Këta, nga dita në ditë, po shtohen dhe nëse nuk gjejmë rrugë për t’i ndalur të jemi të sigurtë se fatin e obeliskut të Nënë Pashkës, nesër do ta kenë edhe obelisket tjerë, monumentet, shtatoret dhe varret e dëshmorëve e të martirëve” shkroi ai.