Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj S.H., shtetas i Shqipërisë, i cili gjendet në paraburgim për vrasje të rëndë nga 30 gushti i këtij viti, pas ekstradimit nga Mbretëria e Bashkuar.
Sipas aktakuzës së ngritur, rasti ka ndodhur më 4 qershor të vitit 2013 në Prizren, ku është privuar nga jeta një grua me inicialet I.K.
“Më datë 04.06.2013 në periudhën kohore prej orës 03:23min dhe 06:47min, në Prizren, me dashje privon nga jeta në mënyrë mizore dhe tinëzare nga motivet e ulëta së bashku me tani të dënuarin S.K., – viktimën I.K., në atë mënyrë që së bashku me S.K., nga Shkodra, vjen për të vizituar I.K., e cila ishte duke punuar si këngëtare-valltare në Mitrovicë në lokalin ‘Sh.’, pronë e M.S., me ç’rast takohen në Prizren, ku qëndrojnë në shtëpinë e F.R., ku ajo ka banuar më herët. Pasi që familja nuk është pajtuar lidhur me punën e saj si valltare dhe këngëtare në lokalet e natës, dhe pasi e njëjta nuk është pajtuar të kthehet në shtëpi, papritmas i pandehuri S.H., me thikë së bashku me S.K., fillojnë të godasin I.K., në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar plagë prerëse – shpuese, me ç’rast ka ardhur deri te vdekja e dhunshme si pasojë e gjakderdhjes masive të shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të fortë dhe të prehtë, e që është konstatuar sipas raportit të autopsisë së kryer me datë 05.06.2013”, thuhet në aktakuzë.
Tutje bëhet e ditur se prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.