
Doni Beshiri – anëtar tjetër i LVV-së, njëherësh kandidat për Kryetar të Qendrës në Mitrovicë, ka shpërthyer në akuza ndaj partisë, pasi i njëjti thotë së është eliminuar nga gara.
Beshiri thotë se në këtë komunë po favorizohet Muja, transmeton Gazeta10.
“Me keqardhje më duhet t’ju drejtohem, se në formën më arbitërare të mundshme më është mohuar e drejta për të qenë kandidat në garën për Kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! – Qendra në Mitrovicë!”, ka shkruar ai.
Beshiri thotë se po i mohohet e drejta për kandidim një aktivisti që ka kontribuuar në LV që nga fëmijëria për “një figurë publike i cili në po të njëjtën kohë kur ne protestonim, ai akuzohej për korrupsion në procesin e akreditimit”.
“Por, me të kuptuar se 65% anëtarësisë janë në përkrahjen e kandidaturës sime, ndërsa i preferuari i Prishtinës nuk votohet as nga familja e tij, atëherë organet kompetente vepruan me eleminim e margjinalizim ndaj një aktivisti të përkushtuar. Konsiderojmë se çdo përpjekje për të devalvuar vullnetin e anëtarësisë është tendencioze dhe me prapavijë shkatërruese”, ka shkruar ndër të tjera anëtari i LVV-së.
Ankesa si të Beshirit, kanë pasur edhe anëtarë të tjerë të partisë së Albin Kurtit, të cilët kanë akuzuar Sekretariatin e Përgjithshëm për eliminime të kandidatëve. /Gazeta10