
Alban Veseli ka zgjedhur një fotografi të veçantë për të shoqëruar njoftimin se i ka dhënë fund karrierës si basketbollist. Fotografia është e dhjetorit të vitit 2016, kur Veseli ishte lojtar i Pejës.
Pas gati dy dekadave karrierë si profesionist dhe trofeve të shumtë të fituar, Veseli ka vendosur të tërhiqet. Gjatë karrierës në basketbollin kosovar kishte shumë momente të mira e emocionale. Por për përshëndetje zgjodhi fotografinë që për të ka vlerën më të madhe.
Në fotografi shihet derisa po e festonte fitoren e Pejës ndaj Sutjeskës, në kuadër të Ligës Ballkanike. Ndeshja ishte zhvilluar më 7 dhjetor të vitit 2016 në palestrën “Karagaçi”. Veseli, tani 33-vjeçar, ishte më i merituari për atë fitore. Peja ishte në disavantazh 74:73 përpara se Veseli të qëllonte për tri pikë, në sekondat e fundit, për rezultatin përfundimtar 76:74.
Ajo mbetet fitorja më e veçantë për Alban Veselin, për faktin që në palestër ishte nëna e tij. Atë fitore Veseli ia kushtoi nënës. Në fakt, ishte hera e vetme që nëna e basketbollistit të njohur kosovar kishte marrë guximin për të shkuar në palestër, për ta shikuar të birin nga afër.
Krahas Veselit dhe tifozëve të Pejës, që shihen në fotografi duke festuar fitoren ndaj Sutjeskës, shihet edhe nëna e basketbollistit. Ajo me duartrokitje dhe buzëqeshje shprehte krenarinë për suksesin e të birit.