Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Ambasada amerikane për Gazeta 10: Serbët të kthehen në institucione, Kosova ta themelojë Asociacionin – të pezullojë çdo veprim ndëshkues për targat

Gazeta10
06 November 2022 - 22:30

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë cilësuar shqetësuese zhvillimet e fundit në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe me mundësi përshkallëzimi të mëtejshëm.

Në një përgjigje për Gazeta 10, Ambasada Amerikane në Prishtinë ka komentuar në detaje zhvillimet e dy ditëve të fundit duke u “pajtuar me qëndrimet e BE-së se këto zhvillime e vënë në rrezik progresin e rëndësishem të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

Po ashtu, qeveria amerikane u ka bërë thirrje edhe udhëheqësve në Prishtinë dhe Beograd të përmbahen nga retorika dhe veprimet e dhunshme, në të kundërtën, do të përballen me një reagim të duhur nga bashkësia ndërkombëtare.

Më poshtë, po e botojmë të plotë përgjigjen e Zëdhënëses së Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Katherine Judd dhënë për Gazeta 10. 

Sa i përket zhvillimeve të fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë:

Shtetet e Bashkuara pajtohen me Bashkimin Evropian se zhvillimet e fundit në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë të një shqetësimi të madh dhe e vënë në rrezik progresin e rëndësishëm të arritur në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren.

Të gjithë akterët e përfshirë duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin në terren. Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë e dhunës vënë në rrezik të panevojshëm jetët e pafajshme dhe ato të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren.

Prandaj, Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së duke u bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe qeverisjen lokale.

Në të njëjtën kohë, ne përsëri i bashkohemi BE-së për t’i kërkuar autoriteteve kosovare që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të ri-regjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM derisa të zgjidhet çështja e targave nga palët në kuadër të Dialogut.

Kjo gjithashtu nënkupton fillimin e menjëhershëm të negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ASM). Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që ASM duhet të krijohet, gjë që e bën themelimin e ASM-së obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës.

Lidhur me mesazhin tonë drejtuar lidershipit kosovar dhe atij serb:

Është përgjegjësi e të dyja palëve të garantojnë paqen dhe stabilitetin në terren. Veprimet e tilla si djegia e makinave ose retorika frikësuese, janë të papranueshme dhe do të nxisin një reagim të duhur nga komuniteti ndërkombëtar.

Ne u bëjmë thirrje atyre që të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe konfrontim. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e BE-së për të vazhduar në lehtësimin e negociatave. Si Kosova, ashtu edhe Serbia duhet të tregojnë se janë të gatshme të kërkojnë zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë detyrimet e tyre të bëra në dialogun e lehtësuar nga BE.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.