Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Ambasada britanike organizon festën për ditëlindjen zyrtare të Mbretit Charles III

Gazeta10
18 June 2026 - 16:09

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka organizuar mbrëmjen e së enjtes pritjen tradicionale me rastin e ditëlindjes zyrtare të Mbretit Charles III, duke mbledhur përfaqësues të institucioneve, partnerë dhe miq të Britanisë nga e gjithë Kosova.

Në njoftimin e ambasadës thuhet se ceremonia u frymëzua nga traditat britanike, ku të ftuarit patën mundësinë të shijonin tortën e preferuar me fruta të Madhërisë së Tij, të përjetonin simbolikisht atmosferën e ballkonit të Pallatit Buckingham dhe të ndiqnin një shfaqje fishekzjarrësh të shoqëruar me muzikë të kompozuar posaçërisht për një spektakël mbretëror fishekzjarrësh gati tre shekuj më parë.

“Ishte kënaqësi të organizonim festën tonë vjetore për ditëlindjen e Mbretit, për të shënuar ditëlindjen zyrtare të Madhërisë së Tij, Mbretit Charles III.

Duke u mbështetur në traditat e mëdha britanike, mysafirët tanë shijuan tortën e preferuar me fruta të Mbretit, përshëndetën nga ballkoni i Pallatit Buckingham dhe ndoqën fishekzjarrë të shoqëruar me muzikë të krijuar posaçërisht për një shfaqje mbretërore fishekzjarrësh afro tre shekuj më parë”, thuhet në njoftim.

Ambasada theksoi se aktiviteti u organizua sipas modelit të festave mbretërore në kopshte, të cilat në Mbretërinë e Bashkuar bashkojnë njerëz nga fusha të ndryshme të jetës shoqërore.

“Ne ishim krenarë që mirëpritëm miqtë dhe partnerët tanë të çmuar nga e gjithë Kosova për të festuar gjithashtu miqësinë e veçantë dhe të qëndrueshme ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës”, thuhet më tej në njoftimin e ambasadës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.